Vjedhja e bagëtive për mish, shkatërrohen dy grupe kriminale
Artan CENA - Shtimi i konsumimit të mishit të gjedhit në Durrës, për shkak dhe të shtimit të popullsisë, si pasojë e sezonit turistik, ka bërë që disa tregtarë në bashkëpunim me persona të tjerë të nisin një fushatë vjedhjes të lopëve dhe viçave në fshatra të ndryshëm të zonës. Lajmi është bërë i ditur gjatë së djeshme nga burime zyrtare të Policisë së Durrësit. Sipas tyre ka pasur një sërë denoncimesh për vjedhje të shumta të ndodhura në këtë zonë. “Puna e strukturave për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, krahas të tjerave është drejtuar edhe në drejtim të zbardhjes së një fenomeni shqetësues për komunitetin e rrethit të Durrësit sic është vjedhja e bagëtive”, thanë dje burimet zyrtare të policisë. Hetimet e kryera përgjatë një periudhe 1-mujore bënë të mundur identifikimin e dy prej grupeve të cilat aktivitetin e tyre e zhvillonin në këtë drejtim. Operacioni i zhvilluar mban emrin “Cikël i mbyllur”.
Operacioni i parë
Policia e Durrësit ka bërë të ditur se, tre ditë më parë si persona të dyshuar dhe të implikuar në veprimtarinë e vjedhjes së gjedhëve janë katër shtetas. Ky grup vepronte duke marrë nëpër livadhe bagëti, kryesisht lopë e viça, të cilat më pas i transportonte me furgonin tip “Benz” me targa DR 9946 B në thertore të ndryshme në zonën e Shijakut apo në tregun e gjësë së gjallë, me qëllim shitjen. Po kështu, një grup i dytë i cili kryente vjedhjen e kafshëve në kasolle përgjatë orëve të vona të natës, i transportonte këto të fundit drejt zonës së Plazhit apo Shënovlashit, ku kryenin therjen dhe tregëtimin e mishit.
Në pranga për vjedhjen e lopëve kanë rënë, Besnik Xhafa, 51 vjeç, i dënuar më parë për moskallëzim krimi, Bardhok Ndoj, 42 vjeç, banues në Shënavlash, Pask Tilka, 48 vjeç, banues në Jubë, Katund i Ri, Agim Zakova, 49 vjeç, banues në Shënvlash. Nga hetimi i policisë, rezulton se të arrestuari janë autorë të dyshuar të vjedhjes së bagëtive të shtetasve, K. G., 50 vjeç, dhe S. D., 47 vjeç, të cilëve u janë vjedhur lopët.
Operacioni i dytë
Përveç katër personave të mësipërm, për vjedhje bagëtish janë dhe dy të tjerë të cilët akuzohet për vjedhje bagëtish. Policia e Durrësit tha se, në orën 01:00, të ditës së djeshme është bërë arrestimi në flagrancë i Ndue Prengës, 42 vjeç, banues në Xhafzotaj dhe Skënder Novruzit, 41 vjeç, banues në lagjen Nr. 13, Durres, me profesion kasap. Policia tha se, arrestimi i tyre është bërë për arsye se dy ditë më parë në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në fshatin Shënavlash, në banesën e shtetases D. N., kanë vjedhur një viç të cilin më pas e kanë therur e tregëtuar për mish. Gjatë aksionit për kapjen e tyre, në cilësinë e provës materiale është bllokuar automjeti që kryente transportin e gjësë së gjallë, furgon tip “Benz”, një lopë e vjedhur si dhe lëkura e një prej viçave të vjedhur, të cilët u njohën nga personat e dëmtuar. Gjithashtu është duke vazhduar puna për dokumentimin e veprave të tjera nga këta persona. Dosja me materialet hetimore në ngarkim të të arrestuarve për veprën penale të “vjedhjes së kryer në bashkëpunim” i ka kaluar për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.
22 Korrik 2010