E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pajisjet inteligjente i vijnë në ndihmë Policisë, brenda 72 orëve ndëshkohen 5.300 shoferë për shkelje të Kodit Rrugor

Shumë shoferë të cilët, deri dje, mendonin se nuk shihen nga policia dhe bëjnë shkelje rrugore, nga sot duhet të fillojnë të mendojnë ndryshe. Pajisjet inteligjente gjithnjë e më shumë po i vijnë në ndihmë policisë, për të evidentuar shkeljet që i bëhen Kodit Rrugor nga drejtuesit e automjeteve.

Plot 5.300 drejtues automjetesh janë gjobitur nga policia në harkun kohor të 72 orëve, për shkelje të natyrave të ndryshme të Kodit Rrugor, duke filluar që nga: parakalime të gabuara; qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara; përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit; mosvënie të rripit të sigurimit ose mosvënie të kaskës mbrojtëse.

Policia Rrugore e Tiranës, përveç ndëshkimeve administrative, ka arrestuar 4 shtetas të arrestuar për drejtim automjeti, në gjendje të dehur; 3 shtetas të arrestuar për drejtim automjeti, pa leje; 2 shtetas të ndaluar, të kërkuar për shkelje rrugore; 1 shtetas i arrestuar për drejtim të automjetit, në efektin e lëndëve narkotike; 1 shtetas u procedua penalisht, sepse tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë, të cilët e konstatuan duke përdorur celularin, gjatë drejtimit të automjetit.

Gjithashtu, sipas policisë, janë tërhequr me mjet ngritës, 10 automjete që kishin zënë në kundërshtim me ligjin, hapësira publike.

“Policia Rrugore e Tiranës apelon për përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së tyre.”, thuhet në njoftimin e policisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›