Ligjvënësit demokratë, “pro” kandidaturës së Bujar Leskajt për kreun e KLSH-së
Kandidatura, pjesë e procedurave parlamentare
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike është pro kandidaturës së Bujar Leskaj për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. I dekretuari i Presidentit të Republikës pritet të bëjë seancën dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, për t’iu nënshtruar procesit të votimit në seancën e radhës në parlament.
Bujar Leskaj përmbush kriterin ligjor të aktivitetit të tij për dhjetë vite në fushën e ekonomisë dhe financës, ndërsa ka përfunduar dhe Fakultetin Juridik. Leskaj mban gradën e Doktorit të Shkencave Ekonomike. Ai ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës në fakultetin Gjeologji-Miniera, Fakulteti i Ekonomisë, Dega Financë dhe Fakultetin e Drejtësisë, ndërsa ka mbrojtur Masterin dhe Doktoraturën në fushën e Financës pranë Universitetit të Tiranës, mban dhe titullin e avokatit. Po ashtu Leskaj ka studiuar në Universitetin e Nebraskës - Lincoln në SHBA, në departamentin e Menaxhimit. Në Universitetin Bamberg të Gjermanisë ai është specializuar për Financat publike.
Në legjislaturën e vitit 2005 – 2009, mandati i parë i demokratëve që u rikthyen në pushtet, pjesë e grupit të tyre parlamentar ishte dhe Bujar Leskaj, si deputet i Vlorës.
Bujar Leskaj do të behej dhe anëtar i qeverisë së parë të kryeministrit Berisha. Nga shtatori i vitit 2005 deri në mars të vitit 2007 ai mbajti postin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Bujar Leskaj është gjithashtu autor i disa botimeve.