E Diel, 1 Nëntor 2026

“Një shekull Shqipëri e Pavarur - viti 2012, viti i një vizioni të ri”

13-12-2011 / Gazeta 55

Organizimi i ceremonive festive për 100-vjetorin e Pavarësisë, shefi i ekzekutivit mbledh Komitetin Shtetëror
 
Kryeministri Sali Berisha mblodhi dje komisionin Shtetëror për organizimin e veprimtarive festive në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Berisha kërkoi nga anëtarët e këtij Komisioni që të vendoset sa më shpejtë dhe të ndërmerren vendimet e duhura në mënyrë që Shqipëria në 100 vjetorin e saj të paraqitet në lartësinë më të madhe të kësaj ngjarje.
Gjithashtu, Kryeministri theksoi se duhet të bëhet një përpjekje e re dhe e fuqishme drejt të vërtetave të pavarësisë dhe historisë sonë. “Nuk mund të thuhet se qëndrimet e njëanshme në histori nuk kanë ndikuar në qëndrime të njëanshme në tërësi. Kështu që është e domosdoshme të ridimensionohen figurat kryesore të këtyre 100 vjetëve të pavarësisë së Shqipërisë. Unë besoj se disa prej tyre, si Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Hasan Prishtina, duhet të kenë praninë e tyre në kryeqytetin e vendit. Pavarësia vërtetë u shpall në Vlorë, por ai ishte një akt madhor dhe pavarësisht problemeve kundrathënëse, kontributi i tyre është i pamohueshëm në këtë shekull, është një kontribut i madh. Aty ku është dhe epiqendra në Shqipëri, aty duhet të jenë ata, mundet të jenë edhe të tjerë. Ju takon juve, Komisionit Shtetëror, t’i shqyrtojë dhe t’i përcaktojë”, theksoi kryeministri.
Berisha tha se vitin e ardhshëm flamuri kuq e zi duhet të valëvitet në ballkonin e çdo shqiptari kudo që ndodhet. Gjithashtu, Berisha kërkoi nga ministri i Kulturës, që të bëhet logoja e 100 vjetorit dhe të prodhohen një tërësi objektesh të lidhura më 100 vjetorin.
Për kremtimin e denjë të 10 vjetorit të Pavarësisë, Berisha kërkoi nga ministrat bashkëpunim të ngushtë me  qeverinë e Kosovës, me autoritetet e Maqedonisë dhe Malit të Zi, në mënyrë që të nderojmë si komb këtë ngjarje që pavarësisht se ishte e përgjysmuar, pavarësisht se ishte konjukturore, qëndron në origjinën të gjitha ngjarjeve dhe zhvillimeve të tjera të mëdha të kombit këto 100 vjet.
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›