E Shtunë, 31 Tetor 2026

Botërori, protestojnë punonjësit e stadiumeve

JOHANESBURG-Një tjetër protestë e rojeve të sigurisë së stadiumeve në Afrikën e Jugut. Me pretendimin se nuk janë paguar sipas kontratave, ata kanë nisur tashmë grevën, duke vënë në rrezik gjithë turneun. Ndeshjet e fundit janë siguruar me forca policie, por është e pamendueshme që kjo të ndodhë deri në fund, duke parë se stjuardët janë punonjës të trajnuar pikërisht për mbarëvajtjen e aktivitetit. Edhe këtë herë reagimi i policisë ndaj tyre ishte i dhunshëm, por jo si protesta e pak ditëve më parë. Forcat e rendit kanë përdorur plumba plastikë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, e cila kërkon të njihet kontrata e firmosur përpara nisjes së Botërorit. Protestuesit kanë bërë të ditur se organizatorët u kanë premtuar 500 Rand për ndeshje, afërsisht 65 dollarë, ndërsa u kanë dhënë vetëm 180 Rand, pra 25 dollarë për çdo takim. Ata kanë bërë të ditur se i gjithë vendi është duke përfituar nga organizimi i Kupës së Botës në Afrikën e Jugut, përveç tyre.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›