E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pak shikues për Facebook’un

Filmi “The Social Network”, i punuar në bazë të biografisë së Mark Zuckerberg, themeluesit të rrjetit social Facebook, në kinemanë ABC është përcjell vetëm nga rreth 1,000 shikues. Këtë javë ndërkaq, me shfaqjen e premierës së filmit Lugina e Ujqve - Palestina”, fillon Java e Filmit Turk. Nga Arbër Ymeri më 05 prill 2011 në ora 19:06

Filmi “The Social Network” (Rrjeti Social) për tri javë të shfaqjes në kinemanë ABC, sipas menaxheres së kinemasë ABC, Miradije Vllahiu, arriti të mblidhte vetëm rreth 1,000 shikues.

“Premiera e ‘The Social Network’, në Prishtinë ka mbledhur rreth 1000 shikues dhe jo më shumë”, tha Vllahiu për Express.

Filmi ishte pritur se do të kishte shumë më tepër shikues, për shkak se filmi që flet për rrjetin social Facebook është njëri prej hiteve kinematografike në kinematë botërore. Por, ja që kjo gjë nuk ndodhi edhe në Kosovë, edhe pse pritjet fillestare të drejtuesve të kinemasë ABC ishin krejt tjera.

Megjithatë, Vllahiu nuk ka kohë për brengosje të tepruar, sepse kinemaja që e drejton këtë javë shfaq premierën e një filmi tjetër, atë të filmit turk “Lugina e Ujqve - Palestina”.

“Projeksioni i këtij filmi ka filluar që nga data një prill”, thotë ajo.
Filmi është prodhim i këtij viti, premiera e botërore e të cilit është dhënë më 28 janar dhe konsiderohet një film shumë mirë i realizuar. Filmi për personazh kryesor ka Polat Alemdar, dhe skuadra e të cilit shkon në Palestinë që të hakmerret për vrasjen e njerëzve në anijën “Blu Marmara”, e cila po dërgonte ndihma në Rripin e Gazës.

Qëllimi i ‘hakmarrësve’ ishte i qartë: Ta kapin gjeneralin izraelit që planifikoi dhe realizoi sulmin ushtarak mbi anijen turke. Hap pas hapi, Polat Alemdari e drejton operacionin e tij në Palestinë dhe është shumë afër arritjes së qëllimit. Mirëpo, Polat dhe skuadra e tij hasin në vështirësi. Gjenerali izraelit, Moshe Ben Eliezer, i cili edhe është caku kryesor, e vështireson situatën duke bërë akte të rënda vrasjesh dhe angazhon teknologji të lartë në Palestinë...

Filmi paralelisht flet edhe për vështirësitë e popullit palestinez. Derisa Polati mundohet që ta kapë Moshen, ai sheh se si vriten palestinezët. E sheh edhe Moshen, duke djegur fshatra dhe duke arrestuar të gjithë ata që e ndihmojnë Polatin.

Ndryshe, në rolet kryesore paraqiten aktorët Necati Sasmaz, Gurkan Uygun, Kenan Coban, Nur Aysan, Erdal Besikcioglu, etj. Regjinë e filmit e ka bërë Zubeyr Sasmaz, e skenari është shkruar nga Raci Sasmaz, Bahadir, Ozdener dhe Cuneyt Aysan.

Java e filmit turk

Përveç premierës së filmit “Lugina e ujqve - Palestina”, në kinemanë ABC këtë javë do të mbahet edhe Edicioni i Tretë i Javës së Filmit Turk. Menaxherja e kinemasë, Miradije Vllahiu, tregon se, edhe në këtë edicion do të ketë premiera të filmave më të rinj turk. Java është organizuar me ndihmën e Ambasadës së Turqisë në Kosovë.

“Presim edhe ardhjen e mysafirëve të ndryshëm, kryesisht artistë turq”, përfundoi Vllahiu.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›