E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maratonë bisedimesh në Dragodan

Nga Express më 05 prill 2011 në ora 20:40

(E plotësuar) Në ambasadën amerikane në Prishtinë janë duke vazhduar bisedimet ndërmjet Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, nikoqir i të cilave është Ambasadori amerikan, Christopher Dell.

Sipas burimeve të Expressit, takimi, i cili ka filluar gjatë paradites së sotme, është duke vazhduar edhe në orët e vona, me qëllim që të gjindet një zgjidhje për krizën politike, të krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se zgjedhja e Presidentit Behgjet Pacolli ishte jo-kushtetuese.

Dell takon krerët politikë për presidentin

Ambasadori amerikan, Christopher Dell, ka pritur sot në takime kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, si dhe liderin e dorëhequr të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, për të biseduar për gjetjen e një zgjidhje për krizën politike në vend.

Nga ky takim mediat, i cili ka filluar në orën 11 e 30 minuta, nuk janë lejuar as të marrin pamje nga afër objektit, ndërkohë që mësohet se liderët e dy partive më të mëdha në vend dhe Behgjet Pacolli, kanë zhvilluar biseda në përpjekje për të gjetur një konsensus të përbashkët për daljen nga kriza që ka shkaktuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e presidentit të vendit, raporton KosovaPress.

Ndërkohë, sipas informacioneve, edhe shefi i ICO-së, Pieter Feith është bërë nikoqir i një takimi të përbashkët të Thaçit, Mustafës dhe Pacollit.

Është bërë e ditur se veturat e dy liderëve të subjekteve më të mëdha politike në vend, nga Ambasada Amerikane, janë drejtuar për tek ndërtesa e ICO-së në të njëjtën lagje. Mirëpo as nga ky takim, nuk janë dhënë detaje.

Takimet nuk janë konfirmuar as nga PDK-ja e LDK-ja, as nga dy institucionet ndërkombëtare.

Opozita në Kosovë ka kushtëzuar pjesëmarrjen e saj në seancën e zgjedhjes së presidentit, me gjetjen e një personaliteti konsensual për president dhe me organizimin e zgjedhjeve pas një viti, mirëpo me kushte të tilla nuk pajtohen partnerët e koalicionit, të cilët tashmë janë pajtuar me rikandidimin e Behgjet Pacollit për të parin e vendit, por po ashtu kanë dhënë shenja pajtueshmërie për ndryshimin e Ligjit zgjedhor dhe nenit 86 të Kushtetutës, e cila përcakton zgjedhjen e presidentit.

Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë ka shprehur besimin e saj se vetëm përmes komunikimeve konstruktive ndërmjet të gjitha palëve, Kosova do të mund të dalë nga situata politike e krijuar pas aktvendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Kurse ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka paralajmëruar se nga dita e nesërme do të nisë takimet me subjektet politike për të biseduar për gjetjen e zgjidhjes së krizës politike në vend.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›