E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një argument më shumë në debatin mbi shtypin e shkruar

Studiues të shkencave të komunikimit shpesh herë kanë vënë në dukje rolin e burimeve financiare në përcaktimin e orientimit të shtypit të shkruar. Kjo lidhje e ngushtë midis – kostos së financimit dhe përfitimit të realizuar nëpërmjet shtypi kanë nxitur ekspertet të studiojnë efektet që burojnë nga të tilla marrëdhënie. Në pamje të parë të krijohet ideja se kemi të bëjmë me një raport të vështirë ndërmjet interesit të ngushtë personal dhe atij të përgjithshëm – publik. Raport i cili në kushtet e ekonomisë së tregut iu nënshtrohet parimeve pragmatiste.

Pronarët e medias janë në një pozicion të tillë që ndikojnë në përmbajtjen e medias. Arsyet e ndikimit mund të jenë politike, ideologjike, personale, ose komerciale. Në librin e tij “Les nouveaux chiens de garde”, Halimi pyet nëse është e mundur të përfytyrosh të blesh një mjet që të ofron prospektin e influencës, por me kusht që të heqësh dorë nga mundësia për të influencuar orientimin e një mjeti të tillë”. Kjo influencë thellohet më shumë në kushtet e një tregu të deformuar shqiptar. Jo në pak raste raportet e paraqitura nga Institucione Ndërkombëtare që monitorojnë shtypin e shkruar kanë vënë në dukje se marrëdhënia nuk është për shembull media–tregti, por media–lexues (elektorat) – vendim politik–tregti.

Ajo çfarë e bën shqetësues këtë panoramë janë arsyet që e kanë krijuar këtë raport. Disa ekspertë kanë argumentuar se kjo marrëdhënie është bërë gati e domosdoshme. Elementë si: numri i ulët i tirazheve të shitura, kostot e larta të prodhimit, problemet me sistemin e shpërndarjes, të ardhura e pakta të siguruara nga reklama, numri i ulët i banorëve që lexojnë, e vënë në pikëpyetje rentabilitetin e këtij biznesi. Kështu që financimi i jashtëm është mënyra e vetme për një media që të mbijetojë në këtë treg të vogël. Financim, i cili sigurohet nga biznese të tjera.

Në këtë mënyrë shtypi përdoret si një instrument nga ana e pronarit për të siguruar të ardhura për biznesin tjetër. Burimi i të ardhurave nuk pritet të vijë nga konsumatori “publik”, por nga ai “politik” dhe kështu ndërtohet një varësi gati-gati e pazgjidhshme ndërmjet pronarit dhe politikanit. Nga njëra anë politikanët e përdorin (dhe e shpërdorin) median për qëllimet e veta politike. Nga ana tjetër, pronarët e medias e përdorin median e tyre për të shfrytëzuar politikanët që të arrijnë qëllimet e tyre personale ose të bizneseve që administrojnë.

Në këtë kuptim mund të thuhet siç shprehet Fuga “... mediat mediatizojnë politikën, sikurse politika mediatizon mediat”. Diskutimi politik bëhet ligjërim mediatik. Ligjërimi politik– mediatik bëhet në mënyrë të domosdoshme një diskutim propagandistik, duke humbur mjaft nga kapacitetet e tija analitike, e duke marrë tipare ideologjike.

Në këto kushte media “rrezikon” të mos jetë më përfaqësuese e trupit shoqëror në përgjithësi. Si një organizim i politizuar, ai ka prirjen që më tepër t’i shërbejë përmbushjes së interesave të grupeve tepër të kufizuara të shoqërisë sesa një komuniteti më të gjerë. Media fillon të udhëhiqet nga interesa të ngushta financiare dhe ku politika padyshim është një ndër instrumentet më të rëndomta që vihet në funksion të saj.

Si rrjedhim, të gjitha mediat ofrojnë pothuajse të njëjtën përmbajtje dhe tematike, duke krijuar një treg të paprofilizuar. Ndërkaq temat e trajtuara prej saj nga pikëpamja sasiore dhe e cilësisë së informacionit interesojnë më tepër botën politike sesa tërheq vëmendjen e publikut për problemet jetike të tij. Nevojat dhe konjekturat politike të një grupi të caktuar dominojnë mbi interesat e gjera të opinionit publik. Dhe ku interesat politike prezantohen si nevoja të grupeve shoqërore.

Ky ndikim sjell një politikë editoriale, e cila shpesh mund të jetë kundër bindjeve të vetë gazetarëve, dhe vetë interesave të publikut. Gazetarët përpiqen të marrin me mend atë që pronari i medias dëshiron të dëgjojë dhe atë që është më pranë preferencave dhe interesave të tij sesa atë çfarë ka nevojë opinioni publik të lexojë.

Këto fenomene në shtypin e shkruar do vazhdojnë të jenë prezente për aq kohë sa rentabiliteti i këtyre bizneseve do të vihet në pikëpyetje. Dhe për aq kohë sa instrumentet e përdorura nga politika nuk do të ndeshin rezistence nga institucionet ligjore.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›