E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teatri ha të vjetrat

Deri në shpalljen e repertorit të saktë sezoni i ri artistik në teatrot e kryeqytetit do të nisë me shfaqjet e vjetra. Në Teatrin Kombëtar do të rivihet në skenë vepra “Trojanët” dhe shumë pjesë të tjera nga sezoni i kaluar, ndërsa në Teatrin e Operës ende nuk flitet për një kalendar artistik të përcaktuar. Ndërkohë që ende nuk dihet se si do të funksionojnë këto institucione, sipas draftit të propozuar nga Ministria e Kulturës, apo me sistemin e vjetër të aktorëve të punësuar

Teatri ha të vjetrat

Pas pushimeve verore, institucionet kulturore pritet të fillojnë jetën artistike. Ditët e para të shtatorit, Teatri Kombëtar dhe Teatri i Operës dhe Baletit po i shërbejnë për të rinisur përgatitjet e para të sezonit të ri artistik. Titullarët e këtyre institucioneve kulturore shprehen se jo vetëm ka filluar puna, por në misionin tyre tashmë do të përfshihet edhe një sistem më i kualifikuar pune. Kështu, nëse në Teatrin Kombëtar sezoni i ri kulturor do të çelet në fund të shatorit, në Teatrin e Operës dhe Baletit dita e fillimit të punës nuk është përcaktuar ende. Kalendari i të gjitha veprave që do të vihen në skenë në TK është prezantuar, ndërkohë që TOB asgjë nuk ka në vijë, të paktën deri dje. “Drejtoria po rishikon të gjithë planifikimin e punës dhe kalendarin e vitit. Janë përcaktuar edhe veprat të cilat nuk mund t’i them përpara se të shpallen zyrtarisht në kalendar së bashku me datat përkatëse”, - shprehet drejtori i TOB, Zhani Ciko.

Ndërsa drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, tregon se “kalendari i këtij viti është shpallur së bashku me shfaqjet që do të hapin sezonin e ri më datë 27 shtator”.

Si pjesë përbërëse e këtij kalendari, sipas Skramit, janë edhe shfaqjet e sezonit të kaluar si “Franku V”, si dhe fituesja e konkursit “Mbrëmja Shqipe”, e organizuar nga skena e Teatrit Kombëtar, “Berberi i Seviljes”, “Pamje nga Ura”, si dhe “Trojanët” e Euripidit, të bashkërenduara këto pa dyshim edhe me dramaturgjinë kombëtare siç ka qenë “Korbi i Bardhë”, “Allegreto Albania”, “Kambanat e Muzgut” etj., si dhe pjesë të tjera të teatrit, të cilat do të prezantohen për fillimin e sezonit. Sipas titullarit të TK-së sezoni do të çelet pikërisht me shfaqjen “Trojanët” për shkak se është premiera e radhës, si dhe është një vepër e pashfrytëzuar. “Është një nga bashkëprodhimet më të rëndësishme të Teatrit Kombëtar. Kjo është një dramë nga antikiteti që vihet për herë të parë. Ka qenë një bashkëpunim i Teatrit Kombëtar me një grup realizues grek ku përfshinte regjisorë, skenografë, kostumografë, koreografë, si dhe drejtorin e ndriçimit. Shfaqja është dhënë në kuadër të Festivalit të Butrintit dhe menjëherë pas saj është ftuar në Festivalin e Vironas në Athinë, një festival i cili prej 20 vjetësh zhvillon aktivitetin e tij dhe ftojnë produksionet më të mira të vitit”, - ka thënë Skrami, si arsye ndikuese që kanë çuar këtë shfaqje në hapjen e sezonit të ri, duke shtuar se “shfaqja është ndjekur me shumë interes si në Butrint, por edhe në Virona sepse është një nga produksionet më të mëdha”.

Për sa i përket projektit mbi të rinjtë, do të vihen në skenë disa vepra prej tyre dhe brenda tetorit do të organizohet Festivali i të Rinjve. “TK është në fazën e dytë të përgatitjes së projektit të të rinjve. Në fund të shtatorit dhe në fillim të tetorit do të kemi premierat e para të pesë projekteve fituese të të rinjve. Pas paraqitjes së këtyre shfaqjeve do të kemi siç realizuam edhe vjet javën teatrore të të rinjve, ku sivjet do të jetë më e reduktuar, me pesë projekte”, - tregon sërish titullari i këtij institucioni. Ai thotë se ky reduktim është produkt i fondit të kufizuar të këtij viti. “Kjo ka ardhur për shkak të fondit të kufizuar, nga pesë, ka rënë në katër milionë të ardhura”. Sipas tij, një nga kushtet e kontratës së fituesve të projekteve të të rinjve do të jetë ajo ku pas mbarimit të festivalit, ata të jenë të gatshëm të japin shfaqje në momentin kur TK ua kërkon apo të jenë në repertorin e teatrit në sallën e vogël. “Në të njëjtën kohë do të përballojmë si sallën e madhe, ashtu edhe atë të vogël. Në sallën e madhe natyrisht do të jenë pjesë të repertorit të Teatrit Kombëtar dhe në të njëjtën kohë do të kemi edhe projektet e të rinjve apo shfaqje të tjera të ftuara, qoftë nga Kosova apo nga Maqedonia”, - thekson Skrami. Qëllimi kryesor për këtë sezon në Teatrin Kombëtar është edhe mbajtja e spektatorit në po të njëjtit nivel me atë të sezonit të kaluar. “Do të mundohemi të ruajmë standardin e lartë që kemi fituar në thithjen e spektatorit. Siç është bërë e ditur edhe në analizën e fundit që është bërë në korrik në 6-mujorin e parë janë rreth 13 mijë e 100 bileta të shitura, që do të thotë dyfishi i periudhës së vitit të kaluar, apo aq sa janë shitur në 2005-ën dhe 2006-n”, - shprehet ai. Ai nuk harron të shtojë edhe një tjetër synim, atë të “prekjes” së skenave ndërkombëtare. “Do të mundohemi të mëshojmë më shumë drejtë analogjisë së fuqishme, drejt teatrit botërorë, emrave të mëdhenj të dramaturgjisë ndërkombëtare”, - thotë drejtori Kristaq Skrami. Çdo fundjavë ashtu siç ka funksionuar edhe në sezonin e kaluar që nga dita e enjte e deri në ditën e diele në sallën e Teatrit Kombëtar do të ketë shfaqje, e cila do të kombinohet po ashtu edhe me sallën e vogël.

TOB, ende pa kalendar

Edhe në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit po ndihet procesi i punës së sezonit të ri artistik. Edhe pse nuk është shpallur ende kalendari i të gjitha veprave që do të vihen në skenë këtë sezon, të paktën mësohet se cila do të jetë shfaqja që do të hapë sezonin gjatë muajit tetor. “Sezoni do të hapet me veprën “Carmina Burana” të Carl Orff, që do të vijë me një version koreografik përveç madhështisë që paraqet ajo, në partiturën e saj, dhe datat e sakta të çeljes së sezonit nuk janë vendosur ende dhe këtë do ta vendosë kalendari, i cili nuk është shpallur ende. Muaji tetor është muaji ku do të startojë jeta artistike”, - shprehet drejtori i TOB, Zhani Ciko. Ai ka treguar se tashmë në ambientet e këtij institucioni puna ka filluar me intensitet. “Nëpër të gjithë sektorët e jo vetëm ka filluar puna, por po përgatitemi për të krijuar një sistem kualifikimi të ndryshëm dhe më frytdhënës. Kështu, janë shtuar edhe mjeshtër të ndryshëm që do të zhvillojnë masterkurse së bashku me trupa të ndryshëm. Është Emin Durako me korin e operës, balerini Leonard Ajkun i cili do të vijë nga Amerika me trupën e baletit, së shpejti edhe Agim Krajka me orkestrën e ansamblin dhe shumë të tjerë në shumë sektor. Pedagogë të ndryshëm do të vijnë edhe nga Italia për të punuar me solistët tanë jo vetëm për aftësimin e tyre, por edhe për të ndihmuar, apo për të dhënë përshtypje apo diçka tjetër të ngjashme”, - ka shuar Ciko. Drejtori i TOB shprehet optimist për këtë sezon, duke thënë se ky sezon do të jetë shumë i kualifikuat dhe frytdhënës, por pas zgjidhjes së problemit të fondeve mbështetës financiare. “Po shikojmë shumë burime, mundësitë financiare, si dhe anët artistike i kemi vënë më mirë në punë, dhe problemi që kemi është të mbështetemi siç duhet. Gjatë këtij sezoni do të ndjekim atë gjëra të mira që kam realizuar edhe gjatë këtyre pesë viteve atë do të ndjekim sërish. Do ta çojmë operën në ato parametra më të mira që ka pasur gjatë kësaj periudhë që në dhjetor e më tutje. Repertori do të shpallet në kalendar së bashku me datat përkatëse”, - përfundon Ciko.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›