E Martë, 3 Nëntor 2026

“Paketa e Maleve”, lehtësira fiskale për investimet në turizmin malor

TIRANË, 27 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama risjell në vëmemdje “Paketën e Maleve”, një ligj, që synon të nxisë investimet në agroturizëm, agropërpunim dhe turizëm malor.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama tha se ky ligj ofron mbështetje të posaçme për ata që dëshirojnë të rikthehen në tokat e të parëve për të zhvilluar aktivitet ekonomik. Sipas tij, për 500 aplikantët e parë do të ketë lehtësira të rëndësishme, duke përfshirë deri në 10 vjet pa taksa dhe pa TVSH.

“Me “Paketën e Maleve”, një ligj i ri i sapomiratuar që i hap rrugë investimeve në agroturizëm, agropërpunim dhe turizëm malor, duke u dhënë një mundësi reale dhe mbështetje të posaçme të gjithë atyre që duan të rikthehen në tokat e të parëve nga qyteti apo nga jashtë vendit, për të arritur një sukses ekonomik për familjen e tyre, me procedura krejt të thjeshtuara dhe lehtësira fiskale, deri edhe 10 vjet Zero Taksa e Zero TVSH për 500 aplikantët e parë”, shkruan Rama.

“Paketa e maleve”, miratuar së fundmi nga Kuvendi i Shqipërisë synon të zgjidhi një seri problemesh që kanë të bëjnë me mundësinë për të zhvilluar dhe për të investuar në zonat malore dhe ato që do të shpallen me interes për zhvillim.

Sipas ligjit, çdo bashki që ka një zonë malore ka të drejtë të shpalli një zonë malore prioritare për tu zhvilluar dhe është Këshilli i Ministrave ai që i jep kësaj zone statusin për tu zhvilluar. Personat që janë pronarë të tokës në këtë zonë dhe nuk disponojnë certifikatë pronësie, por duan të ndërmarrin investime për zhvillimin turistik të saj, do të mbështeten përmes kësaj pakete në sipërmarrjen e tyre.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›