Kakavije, fluksi i lëvizjes në kufi 70% më i madh se në 2010
Në këto ditë pushimesh verore dogana e Kakavijes vazhdon të përballet me një fluks të rënduar të lëvizjes së këmbësorëve dhe automjeteve në të dyja anët e kufirit. Madje sipas përfaqësuesve të policisë kufitare në Gjirokastër gjatë muajit korrik numri i hyrjes së automjeteve dhe këmbësorëve në tokën shqiptare paraqitet 70% më i madh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. “Gjatë muajit korrik kanë udhëtuar nga Greqia në drejtim të Shqipërisë nëpërmjet doganës së Kakavijës rreth 140 mijë persona dhe 40 mijë automjete”, thonë burime në policinë e Kakavijes. Gjithashtu në këtë periudhë shifrat e regjistruara në sportelet e përpunimit të dokumentave flasin për një dyfishim të hyrjes në tokën shqiptare të numrit të turistëve të huaj. Ky fluks i lartë lëvizjes po vijon edhe në këto ditë të para të muajit gusht, kur mesatarish udhëtojnë nga Greqia në drejtim të Shqipërisë rreth 5 mijë persona në ditë. Falë masave të mara nga të dyja doganat shqiptare dhe greke në Kakavije nuk janë shënuar rradhë të gjata pritje në sportelet e kontrollit të dokumentave.