“PS ka dy vite që ka pushuar së ekzistuari”

Sekretari Ylli Manjani fton Kastriot Islamin dhe Andis Harasanin t’i bashkohen LSI-së
Duke marrë shkas nga disa eksponentë të selisë rozë për një aleancë të mundshme me Lëvizjen Socialiste për Integrim kjo e fundit shprehet qartë se tashmë është pozicionuar në funksion të stabilitetit politik dhe demokratik në vend. Dhe se bashkëpunimi me Partinë Socialiste është çështje e panegociueshme. Ylli Manjani sekretar për çështjet ligjore dhe zgjedhore, në një prononcim për mediat është shprehur dje se “çështja që, “hajt bashkohemi kundër Berishës për të prurë Ramën nuk meriton vëmendje”.
Ai thekson se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka asnjë ndasi me socialistët shqiptarë, por se këta të fundit e kanë të keqen brenda tyre. “Ne jemi një parti e majtë, ne jemi një parti e social demokracisë moderne në Shqipëri. Nuk kemi ndarje me të majtët e këtij vendi. E vetmja ndarje që ka qenë dhe mbetet është politika e gabuar e zotit Rama kryesisht dhe e grupit apo e shpurës së tij politike apo dhe jo politika në krye të partisë socialiste. Politika e gabuar e zotit Rama ka çuar në përçarje të së majtës, kështu që sa kohë që faktori përçarës është aty, nuk ka asnjë kuptim që ne t’i japim shans njërit apo tjetrit, shanse personale. Politika nuk është përpjekje personale politika është një përpjekje publike në dobi të Shqipërisë në dobi të shqiptarëve”, u shpreh Manjani.
Juristi Ylli Manjani i cili për shumë vite aderoi në radhët e Partisë Socialiste e si shumë të tjerë kundërshtoi linjën e ndjekur nga kryetari Edi Rama flet për përjashtimet në radhët socialistëve.
Ai thotë se Lëvizja Socialiste për Integrim mbetet e hapur për këdo socialist.
“Jo vetëm për zotin Islami dhe zotin Harasani por për cilindo, që ndjehet social demokrat modern dhe ka ende vend për të kontribuar për Shqipërinë. Unë vetë e kam gjetur derën e Lëvizjes Socialiste për Integrim sepse më ka bashkuar në Lëvizjen Socialiste për Integrim dëshira për të kontribuar dhe këdo tjetër që ka dëshirë për të kontribuar për Shqipërinë është më se i mirëpritur në Lëvizjen Socialiste për Integrim. Kjo është më se e sigurt. Zoti Islami dhe Harasani janë dy të përjashtuarit e fundit nga Partia Socialiste nga zoti Rama, jo nga Partia Socialiste jo nga socialistët shqiptarë por nga zoti Rama i cili nuk është socialist dhe nuk ka qenë kurrë socialist në jetën e tij”, thotë Manjani.
Duke u ndalur te kërkesa e socialistëve për ndryshimet Kushtetuese, Manjani thotë se Edi Rama dhe bashkëpunëtorë të tij, kanë hapur një debat bulevardi, një debat pa debat. “Po ta vni re me vëmendje ky “debat pa debat” është i stisur sa me porosi nga zyrat e PS-së aq nga zyrat e Presidencë. Janë dy cepat e bulevardit që kanë hapur një “debat pa debat”.
Çelja e një “debati pa debat”, aq më tepër në kushtet e një tallje, është një mungesë e dukshme serioziteti e institucionit të opozitës dhe është një mungesë e dukshme e njërit krah demokratik në vend. Edi Rama nuk mban përgjegjsi për asgjë.
Ai shmang vëmendjen nga reformat. Shqipëria ka nevojë për reformë.
Çelja e një “debati pa debat”, pikërisht këtë gjë synon, që të shmangë vëmendjen nga përgjegjësia për mungesën e tre të pestave në Kuvend”, thotë Manjani, i cili akuzon Ramën se ka çuar në mos ekzistencën politike të PS-së, prej më shumë se 2 vitesh.
Gjithashtu, ai bën thirrje për nisjen e punës në hartimin e reformës zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR.