Protestat e Edi Ramës, si shprehja popullore “shtyje ta shtyjmë”
Hyrja e Elsa Lilës në ‘burg’ kthen dyshimet e socialistëve se protesta e tyre është thjeshtë një gjullurdi- greve; Edi Rama shtyn për në 14 maj protestën e “madhe” në kryeqytet, pranon dështimin
është më se e qartë tashmë se protestat e Edi Ramës nuk kanë asnjë fije serioziteti, madje dhe greva e urisë ku ka ngujuar deputetët dhe simpatizantët e partisë, po konsiderohet si demagogji tallëse. Kryesocialisti në dëshpërim dhe nefregizëm, paralajmëroi sot për një protestë më 14 maj, duke nënkuptuar se këto të organizuarat deri më tani janë të dështuara dhe destinimi i vetëm për më tej, mbetet pengmarrja e grevistëve në çadrat e bulevardit, përmes shprehjes “shtyje t’i shtyjmë protestat”.
Edi Rama mblodhi sot paradite disa mbështetës në protestën e rëndomtë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por as këtë radhë edhe pse e shumë trumbetuar si dita e triumfit, nisur edhe nga koherenca historike, nuk arriti dot të bindë socialistët, për vazhdimin e rebelimit antishtetëror. Edhe pse u tentua manipulimi i socialistëve përmes prezantimit të një imazhi publik në grevën e urisë, të këngëtares Elsa Lila, përsëri Edi Rama u detyrua ta shtyje protestën për një tjetër datë. 14 maji sipas Edi Ramës, do jetë triumfi i socialistëve kundër pushtetit të Berishës. Por, kjo është veç për makijazh sepse data e pretenduar, pra 14 maji nuk është as më shumë e as më pak se 30 prilli apo 9 maji që sapo kaloi. Edhe shtyrja e datave të protestave, s’mund ta shpëtojë Edi Ramën nga skarciteti politik, përsa kohë s’ka as mbështetje dhe tagër të nevojshëm për të qenë lidership politik. Mbajtja peng e grevistëve, deri në një datë të papërcaktuar, e ka kthyer opozitën në një ngrehinë me instrumente të paprecedenta, ç’ka si funksion më të mundshëm kanë destabilizimin politik dhe sorollatjen pafund të mbështetësve.