E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paketën duhet ta kemi gati më 19 maj

Gjermania shpreson që të vendosë për ndihmën ndaj Greqisë për 3 javë

Gjermania ka bërë thirrje të hënën, që paketa e ndihmës financiare ndaj Greqisë të bëhet gati më 19 maj, ndërkohë që paqartësia në lidhje me termat e kësaj pakete ndihme është shtuar gjatë ditës së djeshme. Bëhet fjalë për një paketë nga FMN dhe BR, e cila është disa miliardë dollarëshe dhe grekët presin që t’i nxjerrë nga një situatë në prag falimentimi.

Të gjitha përpjekjet e grekëve për t’i risiguruar dhe bindur investitorët e huaj që t’i vazhdonin investimet në Greqi, kanë qenë të kota dhe tashmë madje mendohet se paketa, e cila deri më tani ka parashikuar një shifër prej 45 miliardë dollarësh, mund të jetë madje edhe më e madhe. Sipas specialistëve të ndryshëm të financave botërore, që tregjet të qetësohen dhe të krijojnë sërish pak besim te Greqia, duhet që të shohin para të thata me sytë e tyre, ndryshe shteti grek është i destinuar që të dështojë. Ministri i Jashtëm gjerman është përpjekur që t’i qetësojë investitorët, duke u thënë se Berlini përfundimisht do ta aprovojë mbështetjen financiare ndaj Greqisë brenda datës 19 maj, kur Athina do të duhet që të rifinancojë 8.5 miliardë eurobonde. “Unë ua kam përcjellë nevojat e Greqisë të gjithë parlamentarëve dhe u kam kërkuar që të krijojnë një debat parlamentar dhe një proces vendimmarrës, në mënyrë që të përgatisin kredinë e nevojshme për Athinën deri në datën 19 maj”, ka deklaruar ministri i Financave të Gjermanisë. Shumë shpejt edhe Kancelarja Merkel pritet që të mbajë një qëndrim të sajin ndaj çështjes së paketës financiare për Greqinë. Mbështetja e Gjermanisë, që është ekonomia më e madhe do ishte vitale për çdo lloj pakete financiare ndihme për Greqinë, por Berlini përballet me një kundërshti të madhe, ndaj po përpiqet që të vendosë masa shumë të rrepta për sa u përket të gjitha detajeve të marrëveshjes. Ende nuk dihet se deri në çfarë mase do ta kundërshtojnë këtë paketë socialdemokratët që janë në opozitë, por në rast se do të vendosin që ta kundërshtojnë, do të hapen probleme të mëdha, sepse paketa financiare do të miratohet edhe nga Parlamenti. Ndërkohë, ka parlamentarë të cilët mendojnë se Greqia ndoshta duhet që të dalë nga zona euro, pasi ajo i ka shkelur me kohë të gjitha rregullat financiare. Ndërkohë, në Athinë po vazhdojnë bisedimet mes ekspertëve të FMN-së dhe BE-së, në lidhje me kushtet e mundshme të paketës financiare. Greqia po vazhdon me paketën e shkurtimeve të shpenzimeve, ndërkohë që vazhdojnë pakënaqësitë dhe protestat nga shumë sindikata që janë të pakënaqura prej vendimit të qeverisë, që ta hedhë këtë krizë mbi supet e atyre që janë më të varfër dhe më të pamundur ekonomikisht.

Greqia ndodhet aktualisht në një situatë shumë të vështirë dhe sipas shumë ekspertëve, atë nuk do të mund ta shpëtojë nga vështirësia në të cilën është zhytur as edhe një paketë e majme financiare, sepse kushtet shumë të vështira do të shkaktojnë menjëherë një rënie të ritmeve të ekonomisë dhe si pasojë Greqia do të dojë shumë kohë që të mëkëmbet.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›