Urë turke mes Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës
Presidentët e Turqisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe të Serbisë, përkatësisht Abdulla Gjul, Haris Silajxhiç (kryesues i radhës i Presidencës së B-H-së) dhe Boris Tadiç, miratuan dje në Stamboll një deklaratë të përbashkët, në të cilën shprehin gatishmërinë e tyre që të garantojnë në rajonin e Ballkanit paqe, stabilitet dhe begati. Nënshkruesit e kësaj deklarate ranë dakord se politika rajonale duhet të mbështetet te garantimi i sigurisë, te një dialog politik i qëndrueshëm, te ruajtja e karakteristikave multietnike, multikulturore e multifetare dhe se integrimi në BE është qëllimi i përbashkët i të tre vendeve. Po ashtu, në deklaratën e Stambollit vihet në dukje se tre anëtarë të Presidencës së B-H-së, përfshi Haris Silajxhiçin, do të vizitojnë së shpejti Beogradin, ndërkohë që Tadiçi dhe Kryeministri i Turqisë, Rexhep Erdogan, do të shkojnë në Srebrenicë me rastin e 15-vjetorit të masakrës së 8000 myslimanëve boshnjakë. Kryetari i Presidencës së B-H-së, Silajxhiç, duke reaguar pozitivisht ndaj deklaratës së presidentit serb se Serbia nuk do të ndërmarrë asnjë hap në drejtim të destabilizimit të B-H-së dhe se ajo me asnjë veprim të saj nuk do t’i vejë në pikëpyetje kufijtë e integritetin e B-H-së, sikurse bën të ditur shtypi boshnjak, midis të tjerave, vuri në dukje se një “deklaratë e tillë sjell paqe e qetësi në zemrat tona dhe se, nëse do të kemi synime të mira dhe nëse midis nesh do të mbizotërojë respekti i ndërsjellë, atëherë me siguri do të arrijmë sukses”. Media boshnjake, me këtë rast, thekson se është hera e parë që Silajxhiçi dhe Tadiçi shkëmbejnë hapur mendime për problemet e hapura që rëndojnë marrëdhëniet mes B-H-së dhe Serbisë, ndërkohë që duhet të theksohet se bisedimet mes tyre zgjatën pesë orë të plota.
Analistët politikë rajonalë, në përgjithësi, janë të mendimit se takimi trepalësh i nivelit të lartë në Stamboll mund të konsiderohet me të drejtë si një pikë e rëndësishme për Turqinë si një vend rajonal dhe partner vullnetmirë që arriti të vendosë një urë mes boshnjakëve dhe serbëve, armiq të dikurshëm. Media boshnjake gjithashtu, me rastin e deklaratës së Stambollit, thekson se në Serbi, konkretisht në Sanxhak, jeton një numër i konsiderueshëm boshnjakësh, për të cilët kjo deklaratë duhet të jetë një mesazh se, nëse Beogradi dhe Sarajeva arrijnë të merren vesh mes tyre, atëherë atje do përmirësohet edhe jeta e popullsisë boshnjake, që ajo të mos e ndiejë veten të diskriminuar.
#