E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panairi i Pranverës në Borsh

Bregu, i pasur me njerëz krijues dhe natyrë unike

Një e diel ndryshe në Borsh, aty ku qielli, deti, toka dhe mali janë pranë e pranë dhe ujërat e gurrës shekullore shoqërojnë zërat e njerëzve, buzë rrugës nacionale. Në mjediset e “Ujëvarës”, mes drurëve të gjelbër dhe në qendër të Borshit u organizua Panairi i Pranverës. Banorë të
Komunës së Lukovës, nga fshatrat Nivice, Sasaj, Shën Vasil, Fterë, Borsh Piqeras, si dhe të ftuar të tjerë me origjinë nga këto fshatra, ekspozuan në mjediset e panairit bollëkun e gatimeve tradicionale, veprat e artit e qëndistarisë, vajin e njohur për cilësinë, glikotë me agrumet e pemëve të Bregut, piktura e foto portrete apo ngjarje në mjedisin natyror të shumëkërkuar nga pushuesit në sezonin turistik dhe udhëtarët e çdo stine. Dhe jo vetëm në verë. Pushues e vizitorë jo vetëm në stinën e verës, ky është edhe një nga synimet e sipërmarrësve që kanë hapur lokale shërbimi dhe që ofrojnë gatimet tradicionale, ushqime biologjike të shumëkërkuara që nga peshku dhe frutat e detit, te mishi i qengjit, gicit, shpendëve e qoftet tradicionale, sermat me gjethe rrushi e qumështoret, byreku i bariut e glikotë e rrallatë gështenjas, kungullit, qitros e nerenxës. Ylli Hajdini dhe Qëndro Mërkuri kanë hapur fabrikat e para të vajit me frutat shekullorë të ullinjve dhe shishet e reklamuara bashkë me kokrrat e degët e ullinjve u ekspozuan në platenë ku buronin ujërat.

Lindita Selimaj nga Delvina dhe Hallë Kana nga Lukova ofruan për vizitorët e shumtë të panairit glikotë pa fund të prodhuara në kuzhinën e shtëpisë me frutat e oborrit. Elisabeta dhe bashkëshorti Qendro nga Nivica shtruan një tryezë në galerinë në qendër të “Ujëvarës” me gatimet speciale, të cilat u provuan edhe nga dhjetëra vizitorë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›