E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakistan, hiqet shtetrrethimi në Luginën Swat

Swat - Ushtria pakistaneze ka hequr përkohësisht gjendjen e shtetrrethimit në një pjesë të mirë të Luginës Swat për t'u mundësuar civilëve që t'u largohen luftimeve mes ushtrisë dhe militantëve talebanë.

Sipas një njoftimi zyrtar, gjendja e shtetrrethimit do të pezullohet për tetë orë gjatë ditës.

Kryeministri Yousuf Raza Gilani, premtoi para parlamentit të enjten se ushtria do të korrte sukses në spastrimin e zonës nga militantët. Por kushtet në kampet e ngritura për refugjatët nga kjo zonë po përkeqësohen.

OKB thotë se qindra mijëra vetë po jetojnë tani në kushte të rënda.

Komisionari i OKB-së për Refugjatët, Antonio Guterres, gjatë një vizite në zonë tha se situata kërkonte një injektim masiv ndihmash emergjente.
Paralajmërim

Numri i përgjithshëm i personave që janë zhvendosur për shkak të luftimeve në Luginën Sëat tani jepet mbi 800 mijë.

Kjo shifër është disa herë më e lartë nga sa e prisnin autoritetet lokale dhe organizatat humanitare ndërkombëtare, dhe ndoshta më e lartë nga numri që ata mund të përballojnë.

Komisionari i OKB-së, Guterres, tha se për të tejkaluar situatën duheshin ndihma urgjente.
Ai tha se civilët që ia kishin dalë t'i braktisnin luftimet në Swat e gjetkë, po jetonin në kushte të vështira në një mot të nxehtë.

Dhe shtoi zyrtari i OKB-së, nëse nuk do të bëhej diçka me shpejtësi, problemet dhe shqetësimet e tyre mund të shkaktonin një konflikt tjetër.

BBC

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›