Pakistan, përmbytjet prekin 20 milionë persona
Autoritetet në Pakistan njoftojnë se 20 milionë persona janë prekur nga përmbytjet e mëdha të cilat kanë shkaktuar vdekje dhe shkatërrim. Organizata e Kombeve të Bashkuara ditë më parë raportoi se përmbytjet e këtij viti në Pakistan ishin më të tmerrshmet gjatë këtyre 80 viteve të fundit. Gjithashtu OKB-ja tha se 14 milionë persona janë prekur nga përmbytjet dhe numri i të vdekurve është 1600 vetë. Njoftimi se numri i viktimave të përmbytjeve është edhe më i madh u bë nga kryeministri Yousuf Raza Gilani në një fjalim që ai mbajti për Festën e Pavarësisë. Pakistani feston 63 vjetorin e pavarësisë nga Britania e Madhe, po festimet nuk do të jenë aq të mëdha sa në vitet e tjera. Gilani tha se ka ende mjaft viktima ku ndihma humanitare nuk ka mundur të depërtojë, por qeveria po bën të pamundurën për gjetjen e tyre. Zyrtarë të lartë pakistanezë më parë kritikuan atë që ata e quajtën "një reagim i ngadaltë" i komunitetit ndërkombëtar për katastrofën në Pakistan. Agjensitë e ndihmës humanitare kanë bërë paralajmërime të reja për problemet e shëndetit si pasojë e mungesës së ujit të pijshëm. Pritet që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-Moon të vizitojë vendin gjatë fundjavës.