E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakistani: SHBA të tërheqë agjentët e CIA-s

Pakistani ka kërkuar nga SHBA që të shkurtojë numrin e agjentëve të CIA-s në vend dhe të kufizojë sulmet me avionë të telekomanduar në zonat në kufirin afgan.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat amerikane, sipas të cilave drejtues të shërbimeve sekrete amerikane dhe atyre pakistaneze janë takuar në selinë qendrore të CIA-s, në Virxhinia.

Një zëdhënës zyrtar, i cituar nga mediat, i ka vlerësuar takimet si “produktive”.

Dy vendet po përpiqen të riparojnë marrëdhëniet mes tyre, të tensionuara pasi një agjent i CIA-s qëlloi dhe vrau dy pakistanezë në qytetin e Lahores më herët gjatë vitit.

Muajin e kaluar një gjykatë pakistaneze liroi agjentin Raymond Davis, pasi e shfajësoi atë nga dy vrasjet, kur të afërmit e dy viktimave e falën atë në gjykatë.

Ngjarja rriti ndjenjat anti-amerikane në Pakistan dhe shkaktoi protesta të ashpra, sidomos kur rezultoi se autori punonte për CIA-n.

Grupet ekstremiste fetare kërkuan ndëshkimin e Davis, i cili gjatë dëshmisë tha se i qëlloi dy vendasit pasi tentuan ta vidhnin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›