E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakistani i lutet bashkësisë ndërkombëtare për ndihmë

Në një apel dramatik, kryeministri pakistanez Yusuf Raza Gilani i është lutur bashkësisë ndërkombëtare për ndihmë të menjëhershme në luftën kundër katastrofës së përmbytjeve.

Humbjet në jetë njerëzish dhe në infrastrukturë janë "gjigante", tha Gilani në një fjalim drejtuar kombit. Pakistani është goditur nga përmbytjet më të rënda në historinë e tij.

Sipas të dhënave të autoritetit për mbrojtjen nga katastrofat, ndërkohë nga përmbytjet janë të prekur 12 milionë vetë. Kombet e Bashkuara bënë të ditur se rreth 1,5 milionë njerëz janë të pastrehë.

Më shumë se 1.600 vetë humbën jetën nga përmbytjet, të cilat tani janë drejtuar në jugun e vendit me popullsi të dendur.

Katastrofa ka mbërritur ndërkohë edhe në veri të Indisë. Në rajonin Ladakh humbën jetën më shumë se 100 vetë.

Lidhur me situatën në rajonet prekura, drejtori i zyrës së Kryqit të Kuq gjerman në Islamabad, Dirk Kamm, tha për kanalin e parë gjerman ARD: "Që në fillim ishte e qartë se kishim të bënim me një katastrofë relativisht të madhe. Por tani ajo po shtrihet në drejtim të jugut, në drejtim të Punjabit dhe Sindhit, dhe kjo tregon që katastrofa do të jetë edhe më e madhe nga sa parashikohej”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›