Pako ushqimore për 100 familje në nevojë

Dje gjatë shpërndarjes së pakove të ushqimeve
Pako ushqimore për 100 familje në nevojë të kryeqytetit, të cilat marrin trajtim në qendrat sociale të ngritura nga Bashkia e Tiranës. Këtë mbështetje këto familje do ta përfitojnë për një hark kohor prej 6 muajsh. Kësaj iniciative të Bashkisë së Tiranës iu përgjigj pozitivisht Alpha Bank, e cila financoi këtë projekt, i cili si fillim do të mundësojë pako ushqimore për 100 familje deri në muajin tetor. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i pranishëm në ceremoninë e shpërndarjes së 100 pakove të para në qendrën sociale të Kombinatit, u shpreh i vetëdijshëm se kjo nuk është e mjaftueshme, por në të njëjtën kohë shprehu besimin se realizimi i projekteve të cilat kanë nisur të marrin jetë dhe kthimi i besimit të bizneseve te Tirana, do të përmirësojë jetën e qytetarëve të Tiranës. Unë e di që kjo nuk është e mjaftueshme, unë e di që ju prisnit më shumë dhe natyrisht meritoni shumë më shumë. Bashkia e Tiranës është e angazhuar për të

Kryebashkiaku Basha gjatë shpërndarjes
përmirësuar jetën e çdo qytetari në kryeqytet. Duke qenë të vetëdijshëm se kjo nuk është e lehtë dhe as nuk mund të realizohet në një ditë, ne kemi vënë fort theksin dhe kemi përqendruar fokusin tonë te nxitja e punësimit, tha Basha. Në ditën e shpallur nga Alpha Bank si ditë e vullnetarizmit, zoti Basha u bëri apel edhe bankave e bizneseve të tjera të Tiranës të shpallin një ditë vullnetarizmi dhe të ndihmojnë familjet në nevojë. Në këtë ditë, e cila është shpallur nga Alpha Bank si Dita e Vullnetarizmit, duke shprehur edhe njëherë falënderimin për kontributin e saj, unë dua tu bëj thirrje të gjitha bankave të nivelit të dytë, bizneseve të Tiranës, qytetarëve të Tiranës të shpallin një ditë vullnetarizmi dhe të ndihmojnë familjet në nevojë të kryeqytetit, tha kryebashkiaku. Sipas tij, Tiranës nuk i mungon dhe as nuk i ka munguar kurrë shpirti i humanizmit. Prandaj unë kam besimin se së bashku ne do të ndihmojmë gjithkënd që ka zgjedhur të ndërtojë të ardhmen në këtë qytet, ne do tia dalim që ëndrrat tona ti shndërrojmë në realitet, tha kryetari Basha.
ZIRINA LLAMBRO