Kukës, bie në pus, humb jetën 9-vjeçari
KUKES – Një 9-vjeçar në lagjen Trull, në komunën Surroj të Kukësit, është mbytur tragjikisht në pusin e shtëpisë. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen, por paraprakisht dyshohen dy versione të ngjarjes. Mendohet se fëmija ka qenë duke luajtur me bashkëmoshatarët e tij në oborr, kur papritur ka rrëshqitur duke përfunduar në pus. Një version tjetër që jepet nga të afërmit tregon se fëmija është përpjekur të mbushë ujë me kovë dhe se rënia e tij ka qenë aksidentale. Familjarët kanë hyrë brenda pusit dhe pas disa minutash kanë mundur që ta nxjerrin gjallë fëmijën. Pasi i kanë dhënë ndihmën e parë në kushtet e shtëpisë, ata e kanë nisur menjëherë drejt spitalit të Kukësit, por fatkeqësisht nuk ka mundur të mbijetojë. Djali 9 vjeç i familjes ka ndërruar jetë ende pa mbërritur në spital. Në vendngjarje mbërriti menjëherë grupi hetimor i ngritur nga Policia dhe Prokuroria, ku ka konkluduar se shkaqet e mbytjes së 9-vjeçarit kanë qenë aksidentale, dhe se ai ka marrë plagë të rënda gjatë rënies në pus në gurët rrethues të murit mbajtës të saj. Blutë kanë marrë në pyetje edhe familjarët e viktimës, të cilët kanë pohuar ngjarjen aksidentale. Mësohet se në momentin e ngjarjes, dëshmitarë kanë qenë edhe disa bashkëmoshatarë të fëmijës fatkeq, të cilët përjetuan momente paniku dhe dhanë alarmin e menjëhershëm. j.h