E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha të heqë dorë nga mandati socialist

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka akuzuar kryeministrin Berisha se po mban peng mandatin e deputetit të PS-së. Duke folur në mbledhjen e grupit kuvendor socialist, Rama ka theksuar se në Kuvend po ndodh një goditje anti-demokratike pasi po tentohet të vidhet mandati i deputetit socialist.
 

“Ne jemi të shqetësuar për një goditje anti-demokratike që po bëhet në Kuvend ku po orkestrohet tentativa e një krimi elektoral, vjedhja e një mandati të deputetit socialist. Për muaj me radhë kemi kërkuar që kjo çështje e qartë të zgjidhet përmes arsyes por askush nuk duhet të mendoj se mund ta vjedhë mandatin me arsye perverse si ajo e 8 majit” ka shtuar Rama.
 

Ai i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha që të heqë dorë nga mandati i deputetit socialist për të mos krijuar krizë të re. "Apeli për kryeministrin është të heqë dorë nga mandati i deputetit PS për të mos hapur një andrallë të re dhe shumë të madhe, në një kohë kur të gjithë duhet të bëjmë çmos të marrim statusin e vendit kandidatit. Ende duhet të shpresojmë që ky problem të mos kthejë një krizë politike” ka shtuar Rama.

Gjithashtu Rama ka bërë me dije sot se grupi parlamentar socialist ka depozituar projektligjin e hartuar prej një grupi deputetësh për miratimin e fondeve që shteti duhet të japë për ndërtimin e një materniteti dhe një shkolle në Luginën e Preshevës.

“Nevoja është emergjente për jetën e bashkëkombasve tanë atje. Për ne ky është një gjest solidariteti. Kur është fjalë për tu ardhur në ndihmë një komuniteti shqiptarë jemi të gjithë bashkë të motivuar për të bërë më të mirën në Kuvend pa asnjë dallim mes mazhorancës dhe opozitës”- tha Rama ndërsa shprehu besimin se edhe mazhoranca do të japë votën e saj për ta miratuar këtë ligj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›