E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-Vjeti: Të hiqet me ligj imuniteti për zyrtarët e lartë

Kreu i shtetit Bamir Topi ka kërkuar sot nga forcat politike të arrijnë konsensusin për heqjen me ligj të imunitetit të zyrtarëve të lartë. Gjatë një tamimi me Nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Italisë, Mikele Vjeti, Topi ka theksuar se nevojitet shprehja e qartë e vullneteve politike të konkretizuara me vendimmarrje në Parlament për të çuar përpara dhe për të zbatuar plotësisht e me sukses reformën në gjyqësor.
 

“Kjo mund të materializohet me gjetjen e konsensusit për miratimin e Gjykatës Administrative, për heqjen me ligj të imunitetit të zyrtarët e lartë si dhe për miratimin e kandidaturave cilësore në Gjykatën Kushtetuese e në atë të Lartë, të bashkërenduara edhe me ndëshkimin e korrupsionit në radhët e gjyqtarëve. Arritjet e këtyre objektivave, të shoqëruara edhe me konsolidimin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese e ligjore do të rikthenin besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe do të mundësonin edhe plotësimin e kritereve të kërkuara për përmbushjen e aspiratës së shqiptarëve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian” theksoi Presidenti Topi.

Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Italisë, Mikele Vjeti pasi vlerësoi arritjet e shënuara deri më tani nga vendi ynë në fushën e drejtësisë si dhe bashkëpunimin e frytshëm ligjor italo-shqiptar, theksoi domosdoshmërinë e kalimit nga demagogjia në vepra dhe ligje konkrete.  Vjeti duke vënë në dukje rolin pozitiv dhe moderator të luajtur nga Presidenti i Republikës në këtë drejtim, nënvizoi se “për të arritur këtë qëllim dhe për të pasur një drejtësi funksionale nevojitet ndarja e qartë e pushteteve dhe vullneti dhe bashkëpunimi i të gjithëve” Në këtë pikë, Vjeti pasi shprehu edhe njëherë mbështetjen e Italisë për reformimin e gjyqësorit shqiptar dhe rrugëtimin integrues të vendit tonë, vuri në pah “rëndësinë e bashkëpunimit të mëtejshëm dhe të vazhdimësisë së projekteve të bashkëpunimit ligjor siç është ai i misionit EURALIUS 4 për të realizuar përsosjen dhe pjekurinë e një sistemi gjyqësor mirëfunksionues dhe një shteti të së drejtës në Shqipëri sipas standardeve evropiane.”
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›