Kryeministri: “Nuk duhet të kemi komplekse për deklarimin e etnisë”
Autori i Lajmit: Redaksia
Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për një shtesë në vendimin “Për organizimin, funksionimin dhe përbërjen e Komisionit Qendror të Regjistrimit. Duke u ndalur në këtë vendim, Kryeministri u shpreh se procesi i regjistrimit përbën një akt madhor, shumë të rëndësishëm, të reformave të vendit. Duke pasur parasysh, vijoi Kryeministri, bazën e re, tërësisht elektronike mbi të cilën ky regjistrim bëhet, leverdishmëria dhe përdorimi i tij do të jetë i gjithanshëm dhe shumë i rëndësishëm. Ai vuri në dukje se në këtë proces kanë ngjallur diskutime dy çështje, ajo e deklarimit të besimit fetar, si dhe çështja e deklarimit të përkatësisë etnike. Lidhur me çështjen e parë, kryeministri theksoi se falë tolerancës së shkëlqyer fetare që ka ekzistuar brez pas brezi në Shqipëri, deklarimi i besimit fetar nuk përbën asnjë problem. “Shqiptarët edhe kur i kanë regjistruar të tjerët, edhe kur nuk kanë pasur regjistrim, janë një komb unik, për të cilin identiteti është më i lashtë, me sa duket, sesa vetë fetë dhe besimet fetare”, - tha ai. Për sa i takon deklarimit të përkatësive etnike, kryeministri u shpreh se në traditën më të mirë të regjistrimeve në këtë vend, ajo ka qenë një normë konstante. “Mbreti i parë i shqiptarëve në kohërat moderne, Ahmet Zogu, në regjistrimin e tij ka pranuar që çdo shtetas i këtij vendi të shprehë origjinën e tij etnike. Mendoj se Zogu ka zbatuar standardet më të mira të kohës”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 28/01/2010