E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti detar, shqyrtohet në Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese po shqyrton kërkesën ankimore të PS-së për marrëveshjen e kufijve detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë. PS-ja përfaqësohet nga deputetët Tahiri e Gjiknuri ndërkohë që Presidenti i Republikës, Bamir Topi nuk ka marrë pjesë në seancë duke deklaruar se ka besim në vendimin e gjykatës. Në seancë ka përfaqësues të Presidencës.
Deputeti socialist, Sajmir Tahiri tha se pakti nuk është bërë asnjëherë transparent. Ai tha se kufijtë me Greqinë kanë ekzistuar edhe më parë, por nuk njiheshin formalisht. Deputeti socialist theksoi se grupi negociator ka marrë plotëfuqinë nga kryeministri, kur në fakt sipas ligjit grupi negociator duhet të marrë plotëfuqi nga Presidenti. Deputeti Damian Gjiknuri tha se marrëveshja është shqyrtuar në mënyrë të pahijshme.
Me vendimimin për të shqyrtuar kërkesën e PS-së nga Kushtetuesja u pezullua dhe procedura e ratifikimit të marrëveshjes nga Kuvendi deri në shpalljen e një vendimi nga kjo gjykatë.
Marrëveshja për ujërat detare me Greqinë u firmos mes dy qeverive në prill të këtij viti nga ministrat e Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë së asaj kohe përkatësisht: Basha dhe Bakojanis, nën prezencën e Kryeministrave: Berisha dhe Karamanlis. Pas firmosjes në vend nisën polemikat duke theksuas se marrëveshja cenon ujërat kombëtare në detin Jon me rreth 354.4 km2.
Në datën 25 shtator, Komisioni Parlamentar i Ligjeve e miratoi këtë marrëveshje. Por, në datën 15 tetor 2009, Parlamenti shtyu pa afat ratifikimin e marrëveshjes për përcaktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›