Vatikani, akuza për pastrim parash në shuma të mëdha
Banka e Vatikanit është nën hetim për përfshirjen e mundshme në një skemë pastrimi parash, duke përdorur llogaritë e njërës prej bankave më të mëdha italiane. Lajmi bëhet i ditur nga revista e përjavshme italiane "Panorama". Sipas disa zyrtarëve të njësisë së zbulimit financiar të bankës së Italisë, kanë identifikuar transaksione me një vlerë prej 180 milionë eurosh që, sipas akuzës, kanë dhunuar rregullat e ligjit të pastrimit të parave. Bëhet fjalë për llogari bankare të hapura në bankën "UniCredit". Prokurorët romanë po punojnë me specialistë të rojës së financave për të hetuar çështjen në lidhje me shkelje të mundshme të rregullave financiare. Ka të ngjarë që hetimi të zgjerohet edhe me llogari në banka të tjera. Ky është hetimi më serioz që ndërmerret ndaj Bankës së Vatikanit, që nga kolapsi i vitit 1982 i bankës "Ambrosiano", në të cilën ishte aksioneri më i madh. "Ambrosiano" u shpërbë dhe faji për këtë ishte pjesërisht i Vatikanit, i cili kishte rreth 1.3 miliardë dollarë borxhe të këqija. Nëse hetimet e fundit do të vërtetojnë dyshimet, ky do të jetë një goditje e fortë për drejtorët e rinj financiarë të bankës së emëruar pak kohë më parë nga sekretari i Shtetit në Vatikan, Tarcisio Bertone.