E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita rumune: Vota është vjedhur

Partia kryesore opozitare rumune ka deklaruar se rizgjedhja për të dytën herë në pozicionin e Presidentit të vendit të Traian Baseskut është arritur përmes vjedhjes së votës. Socialdemokratët pretendojnë se fitorja në zgjedhjet e së dielës ishte për ish-ministrin e Jashtëm Mircea Geoana. Këto zgjedhje konsiderohen si kyç për të zgjidhur krizat qeveritare me të cilat po përballet vendi. Tashmë pjesa më e madhe e votave janë numëruar dhe sipas autoriteteve zyrtare, fitorja është e centristit Basesku, i cili ka marrë 50.33% të votave, ndërkohë që kundërshtari i tij i majtë ka marrë 49.66%. Megjithatë, opozita pretendon se shumë vota kanë qenë bosh, apo të dëmtuara dhe se në shumë pika votimi janë regjistruar parregullsi dhe votime të të njëjtëve persona në qendra të ndryshme votimesh. Opozita e ka pritur me kundërshti rezultatin e votimeve, duke deklaruar se rumunët ia kanë dhënë votën e tyre ish-ministrit të Jashtëm, por ndërkohë stafi i Presidentit po përpiqet që ta quajë të mbyllur votimin, duke i dhënë formë sa më zyrtare fitores dhe rezultatit të votimeve. Por parregullsitë janë vënë re edhe nga politikanë të partive të tjera. Për sa i përket Baseskut, ai i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, duke deklaruar se nëse do të kishte një rinumërim të votave, rezultati i tij do të ishte shumë më i mirë. Ai akuzoi Partinë Socialdemokrate për manipulim të exit poll-it dhe tha se kundërshtimi që ata i bënin votës dhe rezultatit përfundimtar nuk ishte i drejtë.
Sipas vëzhguesve nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, raundi i dytë i votimeve është zhvilluar në përputhje me standardet e kërkuara prej tyre, por i ftoi autoritetet që të marrin në shqyrtim ligjërisht të gjitha ankesat që janë bërë në adresë të parregullsive. Sipas Ministrisë së Brendshme, dje ka pasur disa arrestime. Bëhet fjalë për njerëz që kishin tentuar të blinin votat. Përfaqësuesit e partive politike që kanë mbështetur kandidatin e majtë jashtë atdheut kanë refuzuar që të firmosin rezultatin pas numërimit të votave, duke deklaruar se shumë njerëzve u ishin ofruar ryshfete në këmbim të votave dhe kjo për rumunët që kanë votuar në Spanjë, Itali, apo Moldavi. Sipas rezultateve, për rumunët jashtë vendit Basesku mori 78% të votave, kurse Geoana 18%. Ndërkaq, Rumania ndodhet në një situatë të rëndë ekonomike dhe po përballet përditë me vështirësitë e papunësisë dhe krizave të ndryshme që kur koalicioni qeverisës u shpërbë 2 muaj të shkuara pas shumë zënkash. Vendi është në kërkim të marrjes së një kredie prej 1.5 miliardë dollarësh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për të vënë në punë ekonominë e futur në recesion që prej më shumë se dy vitesh. Por janë shumë të pakta gjasat që kjo kredi të jepet, pasi nuk janë plotësuar kushtet nga ana e qeverisë. Për sa i përket Baseskut, 58 vjeç, popullariteti i tij ka qenë në ulje për shkak të krizës ekomomike në të cilën është futur vendi, por ai ende vazhdon që të gëzojë mbështetje, veçanërisht te shtresat punëtore dhe fshatare. Ai ka premtuar modernizimin dhe reformimin e Rumanisë, duke deklaruar se pjesa më e madhe e ekonomisë është në duart e oligarkëve të korruptuar dhe bosëve të mediave, me të cilët është i lidhur kundërshtari i tij. Geoana, 51 vjeç, ka qenë ambasador i Rumanisë në Kombet e Bashkuara dhe ministër i Jashtëm. Aktualisht drejton Partinë Socialdemokrate, pasuesen e Partisë Komuniste që qeverisi vendin për 40 vjet. Ai e konsideron veten si një njeri modern, që ndjek modelet politike të Klintonit dhe Blerit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›