Pakti i PS-së, Arvizu: Hap inkurajues drejt dialogut
Ambasadori amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu komentoi sot paktin me 10 pika të propozuar nga kryetari i Parisë Socialiste Edi Rama.
Duke folur pas seminarit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës me të zgjedhurit vendorë, Arvizu tha se propozimi i Ramës ishte një hap inkurajues për nisjen e dialogut mes palëve.
Duke mos preferuar të komentojë pikat e veçanta të draftit, diplomati amerikan vlerësoi se rregullorja e parlamentit është një nga temat më të rëndësishme për nisjen e këtij dialogu.
Arvizu theksoi se nuk duhet humbur më shumë kohë dhe se palët duhet të angazhohen në bashkëpunim seriozë për të përparuar me reformat. Por ai paralajmëroi se për gjithcka duhet të arrihet konsensus, pasi nëse reformat bëhen me nxitim, atëherë gjërat përkeqësohen.
Ambasadori amerikan apeloi për një sens urgjence, duke u shprehur se politika ka humbur dy vjet kohë në debate të pavlera.