Berisha: Modeli ynë ekonomik i bazuar në lirinë ekonomike

Kryeministri Berisha deklaroi sot se raporti i Bankës Botërore është tregues për progresin e vendit tonë ndërsa shtoi se modeli ynë ekonomik është i bazuar në lirinë ekonomike.
Duke folur në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha theksoi është e domosdoshme që të shqyrtohen një për një të gjitha kollonat mbi të cilat vendosen liria ekonomike.
“Shqipëria ka lënë pas 12 vendet anëtare të BE-së në fushën e lirisë ekonomike dhe kjo është një arritje e madhe” ka theksuar Berisha ndërsa shtoi se “kjo arritje nuk duhet të na bëjë eforik, por duhet të na motivojë fuqishëm të bëjmë gjithçka për zgjerimin e saj”.
Sipas kryeministrit Shqipëria i ka shpëtuar recesionit dhe krizës ekonomike si pasojë e modelit ekonomik dhe lirisë ekonomike.
Më tej kryeministri Berisha theksoi se raporti i BB-së fakton se qeveria shqiptare është 1 nga 10 administratat më të vogla.
“Raporti thekson se administrata shqiptare është një nga 10 më të voglat dhe kjo përbën një arritje thelbësore të madhe por kjo kërkon nga të gjithë ju nga drejtuesit e të gjithë agjensive të heqin nga mendja se mund të shtojnë qoftë edhe një njeri të vetëm në adminstratë” ka theksuar Berisha.
Më tej kryeministri Berisha theksoi se çdo përpjekje për të fryrë organikat nuk do të pranohet pasi sipas tij ka qënë kjo administratë e vogël që ka qënë pjesë e suksesit.
“Kjo administratë e vogël është promotore dhe zbatuese e këtyre reformave, ka rritur efiçencën shumë herë më të madhe sesa kur ishte një administratë e fryrë. Nuk ka gabim më të rëndë sesa të vendosësh njerëz që kalojnë ditën duke luajtur letra” ka theksuar Berisha ndërsa ka shtuar se kjo arritje duhet të konsolidohet dhe kjo nënkupton një barrë shumë më e vogël që varion deri në 4 herë më të vogël mbi supet e taksapaguesve privat.
Më tej kryeministri Berisha theksoi se qeveria vendore duhet të kthehet në gjahtare për të kapur investitorët të cilët mund të investojnë në komunitetin e tyre.
“Qeveria do t`iu jap atyre çdo të ardhur që u takon mbi pasuritë e tyre. Të mendohet për taksat që do ti kalohen qeverisë vendore. T`i jepet qeverisë vendore gjahu, nuk mund të jetë qeveria qëndrore gjahtare. Duhet që të bëhet decentralizi i plotë i gjahut” ka shtuar më tej Berisha.