Pesë të bllokuar nga dëbora shpëtohen në mesnatë
MIRDITË - Aventura" për të kaluar nëpër rrugën e vështirë përsipër tunelit të mbyllur të Thirrë-Kalimash një familjeje 4-anëtarëshe dhe një personi tjetër, mund të kishte përfunduar në një tragjedi të rëndë, pasi janë bllokuar në mesnatë nga dëbora e dëndur dhe trashësia afër 80 centimetër.
Bllokimi ndodhi mesnatën e së shtunës, duke gdhirë e diel, teksa familja Sinani nga Kukësi i është drejtuar këtij qyteti duke u nisur nga Tirana, por jo rrugës së vjetër, por nga autostrada Rrëshen-Thirrë.
Duke qenë se tuneli vazhdon ende të jetë i mbyllur për mjetet dhe udhëtarët, ata kanë zgjedhur të udhëtojnë duke kaluar në rrugën e hapur nga firma ndërtuese sipër tunelit nga Qafë-Kumbulla nëpër një rrugë të aspak e lehtë, e cila pos terrenit të vështirë, i shtohej dhe trashësia e madhe e dëborës. Në automjetin tip "fuoristradë" gjendeshin kryefamiljari me gruan dhe dy fëmijët 5 dhe 7 vjeç, si dhe një qytetar tjetër po nga Kukësi.
Të përpjetës së Thirrës makina ka mundur të ecë për disa kilometra, por udhëtimi i mëtejshëm është bërë i pamundur dhe këta shtetas janë bllokuar totalisht në dëborë në mes të rrugës në mesnatë. Drejtuesi i automjetit ka formuar numrin e telefonit të policisë së komisariatit të Mirditës, nga ku është nisur dhe një aksion shpëtimi nën drejtimin e shefit të këtij komisariati.
Grupi prej 5 policësh ka arritur në Thirrë të Fanit dhe ka kërkuar ndihmën e banorëve të atyshëm për të gjetur makinën nga ku ishte lëshuar sinjali SOS. Katër banorë dhe forcat e policisë kanë marrë rrugën në këmbë për t'u afruar tek vendi ku gjendeshin personat e bllokuar në Qafë-Kumbull.
Ata kanë gjetur në gjendje të rëndë personat e bllokuar në dëborë rreth orës 01:00 të natës dhe sidomos fëmijët e vegjël, ndaj i kanë mbartur për kilometra të tëra për t'i shpënë në fshatin Thirrë, ku u kanë dhënë dhe ndihmën e parë për t'i sjellë në gjendje të mirë shëndetësore. Ata janë mbajtur aty përgjatë tërë natës dhe ditës së djeshme, ndërsa pritet zhbllokimi i rrugës për t'i lëvizur në drejtim të Kukësit.