Fillim viti pa të vdekur në kryeqytet
Aksidentet
Policia rrugore ka shënuar incidente të ndryshme me të plagosur gjatë ndërrimit të viteve, por pa viktima
TIRANE- Dy ditët e fundit të vitit të kaluar katër ditët e para të Vitit të Ri 2010, kanë kaluar në mënyrë të qetë, sa i përket incidenteve të ndryshme rrugore që mund të kishin pasoja të rënda për jetën e njerëzve.
Sipas specialistëve të policisë rrugore, ekspertëve autoteknikë dhe oficerëve të policisë gjyqësore për hetimin e aksidenteve, nga data 30 dhjetor deri me 4 janar, për fat të mirë nuk janë shënuar incidente rrugore me të vdekur.
Ndërkaq, përplasjet që kanë sjellë plagosjet e kalimtarëve të ndryshëm apo përdoruesve të rrugës nuk janë eliminuar tërësisht, plagosjet sipas ekspertëve kanë qenë minimale. Një gjë e tillë, sipas specialistëve të Policisë Rrugore, lidhet me faktin se ditët e para të Vitit të Ri 2010, rrugët kanë qenë më pak të ngarkuara se fillim vitet e tjera, duke sjellë minimizimin e aksidenteve.
Sipas burimeve, incidenti i fundit i vitit të kaluar është shënuar me 31 dhjetor, kur një vajzë 4 vjeçare R. Hasalla, është përplasur nga një mjet në Sauk, pranë Akademisë së Policisë.
Fëmija ishte lënë në trotuar nga nëna, që kishte shkuar të blinte disa sende në një dyqan, ndërsa fëmija kishte tentuar ta ndiqte atë nga pas duke u përplasur nga një mjet. Fëmija mbeti i plagosur fillimisht në gjendje të rëndë por më pas u përmirësua ndërsa policia arrestoi drejtuesin e mjetit.
Në ditën e parë të fillim vitit, policia shënoi vetëm një karambol mes dy mjetesh, i cili nuk pati të dëmtuar. Me dy janar, një burrë i moshuar 75 vjeç, Rexhep Sejdini, mbeti i plagosur pranë Doganës, ndërsa drejtuesi i mjetit gjithashtu u arrestua.
Ndërkaq, të plagosur në ditët e para të Vitit të Ri, mbetën edhe K. Palushi një femër rreth të 30-ve, dhe dy burra të moshës 57- vjeçare dhe një djalë 11- vjeçar, të cilët sipas policisë, kanë pasur dëmtime të lehta dhe pas mjekimeve të marra dhe ndihmës së parë ata kanë lënë ambientet e spitalit ushtarak, për shkak se nuk paraqisnin probleme serioze për jetën dhe shëndetin e tyre.
Ndërkaq e plagosura e fundit i takon ditës së djeshme, kur një grua 72- vjeçare mbeti e plagosur rëndë nga një automjet në rrugën e Durrësit. Drejtuesi i mjetit ndihmoi gruan e cila u dërgua në spitalin ushtarak, ndërsa policia ndaloi shoferin deri në sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Ndërkaq policia nisi hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Në rastet e tjera, sipas burimeve të policisë, janë shënuar incidente dhe plagosje të lehta të cilat nuk janë regjistruar nga policia për shkak se ato nuk kanë paraqitur probleme serioze dhe janë larguar në banesat e tyre pas mjekimit të marrë në spital.