E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti me 10 pika - truk i Ramës

11/10/2011  Ish-kryeministri Fatos Nano komenton zhvillimet politike

Ish-kryesocialisti Fatos Nano shigjetoi ashpër linjën zyrtare të ndjekur nga forca politike e drejtuar prej tij për vite me radhë. I vëmendshëm ndaj lëvizjeve politike në vend, edhe pse aktualisht jashtë saj, ish-kreu socialist ironizoi nismat e ndërmarra nga lidershipi i PS-së lidhur me paktin për Shqipërinë si Evropa. Në vlerësimin e ish-liderit të PS-së ky pakt, as më shumë e as më pak, është një truk dhe aspak serioz. Ndërkohë që i pozicionuar si një figurë që tashmë qëndron mbi palët, Nano atakoi drejtuesit politikë në vend, të cilët, sipas tij, nuk shohin përtej interesave personalë.

Deklarata

Ish-kryetari i PS-së, Fatos Nano, komentoi zhvillimet e fundit në vend si dhe impaktin që kanë ato në proceset integruese të vendit. Kështu, pas homazheve në nder të ish-diktatorit të fundit komunist Ramiz Alia, ish-kryetari i PS-së gjatë një interviste për “Vizion Plus”, u ndal te qëndrimet e shfaqura së fundi nga përfaqësuesit politikë të të dyja kampeve. Në këtë mënyrë, duke i parë këto qëndrime në mënyrën se si ndikojnë në zhvillimin e vendit, ish-kryeministri Nano i bëri thirrje klasës politike të tregojë pjekuri dhe përgjegjshmëri ndaj mesazheve të qarta të ndërkombëtarëve mbi zgjidhjen e krizës së Shqipëri. “Mesazhet e duhura i ka marrë tashmë klasa politike për mënyrën se si duhet të veprojnë. Por pavarësisht kësaj, unë do të nxisja vëmendjen e munguar për të arsyetuar me qetësi dhe me përgjegjshmëri europaine për vendin, nevojën e kthimit në debatin e vërtetë politik, duke u larguar nga interesat e dëmshme që karakterizojnë një pjesë të liderëve në vend”, - vuri në dukje Nano gjatë fjalës së tij. Kësisoj, edhe pse jo me emra konkretë, ish-lideri socialist ua adresoi përgjegjësinë pikërisht drejtuesve të klasës politike në vend. Në gjykimin e tij këta drejtues orientohen vetëm drejt interesave personale.

Qëndrimi

Në vëmendjen e ish-kryetarit të Partisë Socialiste zinte vend dhe pakti prej 10 pikash i propozuar nga pasardhësi i tij Edi Rama. Duke zgjedhur ironinë si mjet për vlerësimin e këtij pakti, Nano përjashtoi mundësinë e të parit të këtij pakti për Shqipërinë si Evropa si një mundësi për nisjen e dialogut mes palëve. “Paketa prej 10 pikash? Po flasim për gjëra serioze jo për truke”, - nënvizoi Nano lidhur me një çështje të tillë. Ndërkohë gjatë prononcimit të tij ish-kryeministri Nano nuk preferoi të japë një përgjigje mbi mundësinë e rikthimit të tij në politikën aktive apo për debatin e hapur në lidhje me çështjen e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Rikujtojmë këtu se në intervistat televizive të dhëna nga vetë ish-kryetari socialist Nano nuk është fshehur ambicia e tij për përfshirje në një garë të tillë. Madje, jo në pak raste u deklarua, edhe pse jo zyrtarisht, nga bashkëpunëtorët e tij se emri i ish-kryeministrit Nano gëzon mbështetje të gjerë në radhët e parlamentarëve shqiptarë për zgjedhjen në postin e presidentit.

Kongresi i ri i PS-së

Partia Socialiste do të mbledhë më 5 nëntor kongresin e ri të saj. Ndërkohë anëtarësia do të zgjedhë më 22 tetor delegatët e këtij kongresi. Kështu, në këtë datë sipas parimit “një anëtar, një votë” të gjithë anëtarët, të ndarë sipas zonave mbi të cilat është e organizuar aktualisht Partia Socialiste nga qendra në bazë, do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në forumin më të lartë vendimmarrës të kësaj force politike. Në këtë forum pritet të miratohen ndryshimet e reja në statutin e partisë si dhe programi i ri politik. Po në këtë takim delegatët e kongresit do të zgjedhin dhe Asamblenë e re Kombëtare.

Mendimi ndryshe

Kundërshtarët e kreut të PS-së Edi Rama çdo ditë e më shumë po shfaqin mosmarrëveshjet brenda radhëve socialiste. Kështu, nëse deri dje përfaqësuesit e mendimit ndryshe ishin pjesë e takimeve të forumeve vendimmarrëse të partisë, tashmë jo vetëm që i kanë braktisur ato, por nga ana tjetër kanë paralajmëruar krijimin e një force të re politike. Pra, sipas tyre, nëse lidershipi socialist do të bëjë realitet idenë e tij për përjashtimin e përfaqësuesve të mendimit ndryshe nga partia, atëherë deputetë dhe përfaqësues të PS-së që janë kundërshtarë të linjës zyrtare do të krijojnë një parti të re.

Kundërshtia e Ramës

Nuk kanë qenë të pakta deklaratat akuzuese të kreut aktual të Partisë Socialiste Edi Rama ndaj paraardhësit të tij, ish-kryesocialistit Fatos Nano. Kështu, edhe pse në garën për zgjedhjen e presidenti në vitin 2007 Rama refuzoi t’i jepte mbështetje si kandidat për një post të tillë, sërish kundërvënia mes tyre vijoi të ishte prezente. Pas çdo reagimi të ish-kreut Nano, i cili shigjetonte ashpër linjën zyrtare të PS-së, vinte kundërpërgjigjja e Ramës, i cili shkoi deri atje sa e akuzoi paraardhësin e tij për bashkëpunim mes tij dhe kryeministrit Berisha, pa harruar të përfshijë këtu dhe kreun e LSI-së Ilir Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›