Pakti për detin, Meta: Respektojmë vendimin e Gjykatës
Ky respekt sipas Metës, vjen ngaqë maxhoranca ka për gjykatat dhe institucionet e pavarura. “Ajo që dua t’iu them është se në cilindo rast, sikurse është shprehur që para se kjo çështje të ankimohej në Gjykatën Kushtetuese, qeveria do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi është një domosdoshmëri që vjen nga respekti i qeverisë për pavarësinë, pavarësisht nga pretendimet apo rezervat që mund të kemi ndaj çdo lloj vendimi, pasi ne do të lexojmë me vëmendje edhe argumentimet që do të jepen dhe kuptohet që do të bëjmë sqarimet e duhura”, tha Meta. Shefi i diplomacisë shqiptare shtoi se dallimi esencial midis kësaj maxhorance evropiane dhe për integrim me lidershipin e opozitës aktual, është pikërisht që ne i respektojmë vendimet e Gjykatave edhe kur na pëlqejnë edhe kur ne mund të kemi rezerva ndaj tyre. Ata, iu referua Meta opozitës shqiptare, “janë veçse për ato vendime që u pëlqejnë dhe injorojnë kur këto vendime janë në kundërshtim me pëlqimet apo interesat e tyre politike”. "Nga momenti që kjo çështje shkoi në Gjykatën Kushtetuese, -vijoi Meta-, qeveria ka ndërprerë çdo lloj debati publik për këtë çështje, pasi ka bërë gjithë transparencën e duhur dhe të domosdoshme më parë, pikërisht në respekt të pavarësisë të Gjykatës Kushtetuese”. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, “janë marrëdhënie të cilat do të ecin përpara, ashtu sikurse jemi të bindur se zgjidhja e të gjithë çështjeve të cilat janë të bartura nga e kaluara, sikurse është edhe çështja e kufijve detarë, absolutisht që është e domosdoshme, aq më tepër për një vend që synon të integrohet në BE”, përfundoi zv/kryeministri.