E Diel, 1 Nëntor 2026

Pakti për drejtësinë-

Pakti i shumëpërfolur për reformën në drejtësi pritet të marrë jetë shumë shpejt. Të gjitha palët ranë dakord, që brenda Komisionit parlamentar të Ligjeve një strukturë e posaçme të merret posaçërisht me hartimin e paktit.

Pakti i shumëpërfolur për reformën në drejtësi pritet të marrë jetë shumë shpejt. Të gjitha palët ranë dakord, që brenda Komisionit parlamentar të Ligjeve një strukturë e posaçme të merret posaçërisht me hartimin e paktit. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i shpjegoi “Korrierit” mënyrën sesi do të funksionojë “nënkomisioni” i posaçëm për reformën në drejtësi. “Do të ngrihet një “nënkomision”, i cili do të quhet nënkomision për reformën në drejtësi, që do të funksionojë brenda Komisionit të Ligjeve. Ai do të ketë për funksion hartimin e një drafti përfundimtar të paktit për drejtësinë, që do t’i paraqitet sa më shpejt seancës së Parlamentit. Ky komision do të mbledhë mendime dhe sugjerime edhe nga aktorë të sistemit, edhe nga të gjitha forcat politike, në mënyrë që të arrihet në një draft sa më konsensual”, - deklaroi Patozi. Pas miratimit të rezolutës së përbashkët për integrimin në NATO, puna për reformën në drejtësi filloi në Komisionin e Ligjeve, megjithatë ende ecuria e reformës linte për të dëshiruar. Ishin socialistët, ata që propozuan hartimin e një pakti të përbashkët për reformën në drejtësi. Mazhoranca e përshëndeti iniciativën e partisë më të madhe të opozitës, por shtoi se pakti i ofruar nga PS-ja ishte i përgjithshëm e se duhet të përmbante detaje konkrete. Për këtë arsye, demokratët dhe të gjitha partitë e tjera nuk dhanë mendimin e tyre për paktin konkret të ofruar nga PS-ja, të cilit ishin shprehur të gatshëm për të gjetur konsensus dhe për të pranuar sugjerimet e subjekteve të tjera politike, por tashmë, secili grup interesi do të japë opsionin e tij brenda strukturave ligjvënëse, që në rastin konkret është struktura e ngritur brenda Komisionit parlamentar të Ligjeve. “Patjetër që do të ketë detajet e reformës dhe axhendën konkrete të realizimeve me afate”, - thekson Patozi. E ndërsa flasim për afate dhe axhendë, synimi i përbashkët i palëve është arritja e konsensusit përpara Samitit të Bukureshtit, kur vendi ynë ka shansin të marrë ftesën për t’u integruar në NATO. Arritjen e rezultateve konkrete përpara këtij afati e konfirmon edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së. “Besoj që brenda tri javëve ky “nënkomision” duhet ta paraqesë në seancë paktin për drejtësi. Ideja është që pakti të miratohet përpara mbledhjes së Samitit të Bukureshtit, në muajin prill”, - u shpreh Astrit Patozi. Një ditë përpara marrjes së këtij vendimi, Arben Isaraj dhe Fatos Beja ishin të kundërt në idetë e tyre për faktin nëse lidhur me reformën do të duhej një pakt apo një rezolutë. “Do të jetë pakt, jo rezolutë”, - sqaron Patozi. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Arben Isaraj, ishte i mendimit që rezoluta, siç ishte shprehur kryeministri Berisha, do të ishte e pavlefshme. Sipas tij, rezolutat shprehin një vullnet politik dhe jo detyrim për zbatim nga palët. Në rastin konkret, duket se palët i largohen rezolutës, ndërsa po hartojnë një pakt të përbashkët me afate dhe detaje konkrete lidhur me reformën në drejtësi, të cilat do të mund të jenë pjesë e funksionimit të strukturave të drejtësisë, pasi të miratohen në Kuvend. saqellari@korrieri.com            

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›