Propozim i deputetit socialist Balla: Taulanti
Partia Socialiste propozon Planin Kombëtar drejt regjimit pa viza me Bashkimin Evropian...
Partia Socialiste propozon Planin Kombëtar drejt regjimit pa viza me Bashkimin Evropian. Ligjvënësi socialist, njëherësh anëtar në Komisionin parlamentar të Integrimit, Taulant Balla, ka bërë publik planin, duke theksuar se në të përcaktohen detyrat kryesore që duhet të përmbushen në fushat e lidhura ngushtë me politikën e vizave. Ndërkohë, anëtari i Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme, njëherësh kryetar i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat, Arian Starova, thotë se çdo nismë e marrë për të arritur objektivin e shkuarjes drejt një regjimi pa viza me BE-në, është pozitive. Starova, partia e të cilit është në aleancë me demokratët në pushtet, shprehet se nuk është në dijeni të Planit Kombëtar të paraqitur nga Partia Socialiste. Megjithatë, sipas tij, “çdo përpjekje për të lehtësuar regjimin e vizave me BE-në, natyrisht që është e mirëpritur, pavarësisht se nga cili krah i politikës vjen”.Deputeti Balla teksa paraqiste këtë plan, mendon se mbi bazën e implementimit të Planit të Veprimit, institucionet shqiptare duhet të raportojnë me iniciativën e vet çdo muaj në Komisionin Evropian dhe vendet anëtare të BE-së, apo me ambasadorët e akredituar në Tiranë në lidhje me progresin e arritur. Në Planin e Dytë Kombëtar të paraqitur nga PS-ja, këtë radhë për çështjen e vizave, parashtrohen pikat ku duhen bërë përmirësime të ndejshme, të cilat do të mundësonin shkuarjen drejt një regjimi pa viza me vendet e BE-së. Kështu, një ndër pikat lidhet me ristrukturimin e hierarkisë së Policisë Kufitare, krahas përafrimit të legjislacionit me atë të BE-së. Gjithashtu, brenda këtij viti vendi ynë duhet të përafrojë regjimin e vizave me listën pozitive dhe negative të “Shengenit”, si dhe modelin dhe elementet e sigurisë së vizave. Për këtë qëllim, Balla mendon se në Ministrinë e Punëve të Jashtme duhet të ngrihet Qendra Kombëtare e Vizave, e cila do të jetë struktura përgjegjëse për miratimin përfundimtar të lëshimit të vizave dhe të administrimit të sistemit elektronik të të dhënave, si kusht i domosdoshëm në drejtim të përafrimit me standardet e “Shengenit”. Një element tjetër shumë i rëndësishëm është ai i përmirësimit të sigurisë së dokumenteve të identifikimit, çka përbën një pikë të rëndësishme në procesin e liberalizimit të regjimit të vizave. Për këtë, PS-ja mendon se duhet të krijohet dhe të funksionojë Sistemi Kombëtar i Dokumenteve të Identifikimit. Plani parashikon edhe pika të tjera, të cilat kanë të bëjnë me politikat e migracionit, parandalimin e emigrimit ilegal të shtetasve shqiptarë, përmirësimin dhe shtrëngimin e rregullave për marrjen e shtetësisë shqiptare, si dhe përafrimin e legjislacionit për sa u përket politikave të azilit me Konventën e Gjenevës dhe Protokollin e Nju Jorkut.