Referendumet, e drejta e papërdorur
Ideja e zhvillimit të referendumeve popullore në Shqipëri për çështje të ndryshme hidhet shpesh në diskutimet politike, por konkretizimi lihet në harresë...
Ilir Saqellari Ideja e zhvillimit të referendumeve popullore në Shqipëri për çështje të ndryshme hidhet shpesh në diskutimet politike, por konkretizimi lihet në harresë. Ndonëse për çdo debat politik përmendet ideja e referendumit, pas zgjidhjes me konsensus politik vullneti i popullit lihet në harresë. Ideja e referendumit u përmend gjatë debatit të fundit për reformën zgjedhore, por sigurisht në plan të dytë, në opsionin që palët nuk arrijnë konsensus. Tani nuk po flitet më. Po ashtu, u mendua që populli gjatë ngërçit politik të zgjedhjes së presidentit të shprehej me referendum nëse do të ishte “pro” ndryshimit të Kushtetutës, që kreu i shtetit të zgjidhej me votë plebishitare ose jo. Sërish pas kapërcimit të ngërçit, askush nuk është kujtuar më për vullnetin e popullit. Ndonëse ka shumë çështje që janë në pikëpyetje apo kanë qenë në qendër të vëmendjes së zhvillimeve gjatë këtyre viteve, opsioni “referendum” është venitur. Organizimi i referendumit padyshim ka një kosto financiare, që mund të reduktohet nëse zhvillohet gjatë proceseve zgjedhore. Në fakt, anëtarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, mendon se nga ana teknike organizimi i referendumit në zgjedhjet e 2009-ës do të ishte krejt normale. “Në të njëjtën fletë me atë të përzgjedhjes së subjekteve politike apo kandidatëve nuk do të mund të realizohej. Referendumi ka për qëllim që qytetarët t’i përgjigjen me “po” ose “jo” zgjidhjes për një çështje, ndërsa votimi në të njëjtën fletë do të ngatërronte procesin. Por nëse do të kishte një fletë të veçantë, nuk ka asnjë pengesë teknike. Supozojmë se zgjedhjet e radhës zhvillohen pas dy muajsh; zhvillimi i referendumit në të njëjtën ditë nuk do të kishte asnjë lloj problemi”, - deklaron Subashi. Në bazë të Kushtetutës, neni 150, populli mund të kërkojë nëpërmjet 50 mijë shtetasve organizimin e referendumit për shfuqizimin e një ligji e t’i kërkojë po ashtu Presidentit, zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë. Një tjetër mënyrë do të ishte propozimi i 28 deputetëve ose i Këshillit të Ministrave. Kaq do të mjaftonte, por në rastin e dytë, duket se ligjvënësit nuk e shohin si të domosdoshme shprehjen e vullnetit të popullit. Neritan Ceka shprehet se organizimi i referendumeve për momentin nuk është në qendër të vëmendjes, pasi ka shumë gjëra të tjera më të rëndësishme. “Nuk mendoj se duhet të jetë populli, ai që duhet të vendosë për çështjen e reformës zgjedhore. Nëse “të mëdhenjtë” duan të na zhdukin, atëherë le të bindin popullin në fushatë që të mos votojë për ne. Çështja tjetër e zgjedhjes së presidentit nga populli, që ju përmendni, nuk besoj se është në rend të ditës”, - deklaron Ceka. I pyetur përse numri i referendumeve në Shqipëri është shumë më i vogël se i atyre që zhvillohen në shtete të tjera, ai përgjigjet: “Mesa duket, nuk ka pasur nevojë”. Por rasti i fundit që është kërkuar referendum, ishte ai i qytetarëve të Vlorës për ngritjen e TEC-it. Kërkesa u hodh poshtë nga KQZ-ja, ndërsa nga ana e banorëve nuk munguan akuzat se përbërja politike e KQZ-së ishte pengesë për mosrealizimin e referendumit, pasi e kundërta do të binte në interes të interesave të kryeministrit. Që prej 1998-ës, shqiptarët nuk kanë zhvilluar asnjë referendum tjetër. Ndryshe nga shumë vende të tjera të botës, ku organizimi dhe zhvillimi i referendumeve është i shpeshtë, duke i lënë popullit në dorë të vendosë për çështje të caktuara, në Shqipëri që pas diktaturës janë zhvilluar vetëm tre referendume. I pari daton në vitin 1994 për Kushtetutën, i cili nuk mori mbështetjen e qytetarëve. I dyti ishte më 29 qershor 1997. Kësaj here shqiptarët veç përzgjedhjes së kandidatëve dhe partive, votuan edhe nëse Shqipëria duhet të ishte monarki apo republikë. Një vit më vonë, në 1998, sërish referendum popullor, por për herë të dytë për Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ku kësaj here populli shprehu vullnetin “pro” Kushtetutës, që ende sot është në jetë. E ndërsa ka vetëm tre në 2009-ën, madje edhe më herët, teknikisht sipas KQZ-së mund të zhvillohet edhe i katërti. Për të mos folur që nisma e referendumeve për një çështje të qeverisjes vendore do të donte vetëm kërkesën e 10 për qind të popullsisë së bashkisë apo komunës. Po ashtu, mund të realizohet edhe me kërkesë të një numër këshillash bashkiakë apo komunalë, që përfaqësojnë jo më pak se një të tretën e popullsisë së një qarku, për një çështje të qeverisjes vendore në nivel qarku. saqellari@korrieri.com