Ana misterioze e Edvinit
Kjo faqe e personalitetit të Edvinit shfaqet në një mori argumentesh. Askush nga propagandistët e tij nuk di të na shpjegojë përse shefi i tyre nuk pranonte ballafaqimin elektoral të drejtpërdrejtë me kundërshtarin politik, në rang të kreut të partisë (qershor 2009), apo të kreut të bashkisë (maj 2011)? Një shpjegimi të tillë edhe vetë E. Rama, i është shmangur. Drejtuesit e programeve e dinë mirë se Edin e nervozojnë disa pyetje, të cilat ky i merr si provokim. Dhe nuk kanë ngulmuar në pyetje të tilla, “për të ruajtur atmosferën e bashkëbisedimit”. Veçse pyetje të tilla, që e shfazojnë të ftuarin në studio, janë të shumta.
Gazetarët, në përgjithësi, duhet të kenë kujdes, në pyetjet që i drejtohen këtij personi, nëse nuk e durojnë dot kundërveprimin e tij agresiv, me fyerje për mungesë profesionalizmi, gjer te prekja në dinjitetin vetjak të gazetarit ose të gazetares që guxon të bëjë pyetje “të papëlqyeshme”. Rasti i fundit i të qenit alergjik të të pyeturit Edi jashtë amplitudës së durueshme prej tij, është ai i poshtërimit të gazetares së Shijak TV-së, e cila u bombardua me fjalë përcëlluese, gjer në përmendjen se ajo ishte për semaforët e kuq. Shkurt, e quajti prostitutë!
A mund të thuhet e njëjta gjë për dr. Berishën në marrëdhënie me gazetarët? Që në fizionominë mirëdashëse, që në tonalitetin e zërit, Berisha është i qeshur, miqësor, pranues i cilësdo lloj pyetjeje. Delikat ndaj atij që ka përballë. “ Më falni, por duhet t’ju sqaroj se ...”. Nuk acarohet ndaj gazetarëve të rinj, e t’u thotë atyre se kjo pyetje është e pavend, se pyetësi është i papërgatitur profesionalisht, palé t’i fyejë arbitrarisht. Për doktorin nuk ka pyetje “të ndaluara”. Në qoftë se jam i saktë në këtë shqyrtim, atëherë del për t’u përmendur edhe ajo fjala që tingëllon aq hipokrite: “transparencë”! Kjo fjalë është bërë gërvishtëse e timpanit të veshit, në përdorimin e vend e pa vend të saj, domethënë e shpërdoruar tej mase nga Edi. Transparenca bëhet groteske, në mbledhjet e bunkerizuara për të hequr qafe mendimin ndryshe; pra, në mbledhjet e tensionuara brenda radhëve. Bëhet e pasinqertë në marrëdhënie me faktorin euroatlantik, kur ky faktor bie ndesh me nihilizmin absolut të Edvinit ndaj forcës kundërshtare të tij. Bëhet e padurueshme kur, në forumet e grave socialiste, e pikturon veten me penelata superhumaniste ndaj seksit femëror, kur ai është sjellë si Barbabluja me mjaft femra me aftësi të spikatura në gjininë e tyre artistike.
Ne disa pika të karakterit të tij, ai është thelbësisht i errët, thuajse konspirativ. Nëse nuk ka ç’t’i fshehë këtij populli, ai s’kishte përse të ngarkonte militantët e tij vetjakë (në kuptimin “të besuar”) që të shkonin në të gjitha libraritë e të tërhiqnin, me pare në dorë, të gjithë librat e tij me titullin “Refleksionet”, që t’i digjte pastaj si në kohën e autodafé-ve. Ai donte të mbulonte kundërthëniet e tij kundër diktaturës gjysmëshekullore, kundër tiranit Enver Hoxha, kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare, kundër krimeve të komunizmit, kundër mendësisë komuniste. Veçanërisht e stigmatizonte rëndshëm këtë të fundit. Veçse a mund të fshihet minarja në thes? Po aq sa mund të fshihen mendimet e tij të mëvonshme, në kundërshtim diametral me ato të librit të tij, të pushkatuar po prej tij! Por gazeta jonë i ka nxjerrë një nga një të gjitha këto kontradikta, që portretizojnë një person inkoherent, që ç’thotë sot nuk thotë nesër; e që kërkon rrënjosjen e temave-tabù, si në kohën e Enver Hoxhës. A pranojnë veteranët, - në emër të të cilëve flet sot E. Rama, - që të quhet N.çl.-ja si shkaktare e luftës civile në vendin tonë, e cila u përftua nga Enveri, me diktat të armiqve shekullorë të kombit shqiptar? Ja se çfarë shkruante! Kuptohet se fjala është për emisarët jugosllavë, që bënin ligjin në shtabet partizane.
Ç’mund t’i përgjigjej ai që mëton kreun e ekzekutivit shqiptar, kësaj pyetjeje? Upupu! Pyetje te tilla janë në kategorinë e sakrilegjeve. Palé të pyetej për personalitetin e tij si qytetar, në marrëdhënie me ish-bashkëshorten, me djalin e mohuar; po të pyetej për incestin përbrenda familjes... Në këtë vështrim, ne e kemi kaluar édhe Europën, édhe Amerikën, ndërsa flasim me liberalizëm të shtirë për homoseksualët (disa prej të cilëve shprehen me vetëmburrje në ekran se janë të tillë); ndërsa jemi mirëkuptues për martesat e të njëjtit seks, e ku të di unë... Ne (dhe kudo jashtë, veç nesh) marrim në gojë Berluskonin për jetën e tij private. Por Berluskoni nuk ka përdorur dhunën në marrëdhëniet me femrat. As Klintoni nuk i rezistoi dot joshjes së Monika Levinskit, duke u bërë objekt, që për pak sa nuk humbi presidencën. Veçse Levinski sot tregon të vërtetën ndaj kundërshtarëve, se ishte ajo nxitësja! Por te ne, mbrojtësit e kreut të tanishëm të PS-së, na flasin për “Privacy-n” e të mbrojturit të tyre. Dhe ia kanë arritur qëllimit. Kanë mbjellë kulturën e disa “çështjeve” që duhet të mbulohen nga misteri!
Në të vërtetë protagonisti i kësaj “kulture” është vetë Edi Rama. Në librin e tij të pabesueshëm, ai hiqet si tepër i revoltuar ndaj asaj mendësie të nxitur nga qarqe ekstremiste. Jo më kot është vërtet anakronike që këtë nostalgji enveriste ta kemi nëpër këmbë e të na pengojë në aspiratën tonë euroatlantike. Kur erdhi në fuqi, përse nuk bëri asnjë orvatje kundër këtij mentaliteti? Përkundrazi, e stimuloi vetë në orgjitë pezake të 16 shtatorëve! A ka dëgjuar dikush t’i drejtohet kjo pyetje e.r.-së: “Përse e zhdukët librin e mendimeve tuaja të dikurshme” ? Do të quhej një provokacion, nga të majtët e skajshëm! Ndërsa në BE-në ku synojmë të arrijmë, kjo do të ishte një pyetje e natyrshme. Atëherë kjo kategori propagandistësh le ta quajë hapur si një provokacion edhe thënien e Edit se PS-ja, një alter ego e PPSH-së, duhet të nxirret jashtë ligjit!
E. Ramës ia donte interesi vetjak që tetëvjeçarin e sundimit të socialistëve ta nxiroste me ngjyrat më të zeza, ta katranoste fare (2005). Megjithëse zgjedhjet e këtij viti nuk ishin më të mira se ato të 2009-s, për shkak të progresit teknologjik në këto të 28 qershorit. Ka dëgjuar ndonjëri që të flitet qoftë edhe një fjalë e keqe për zgjedhjet 2005 nga pretendenti i kreut të PS-së së vitit 2005? Përkundrazi. Kujtoni: “E kishim me hak humbjen e pushtetit!”. Argumenti i tij? Korrupsioni galopant, prostitucioni, trafiqet e drogës, trafiqet e mishit të bardhë, trafiku ilegal i kapërcimit të detit, mjerimi ekonomik, e të tjera, e të tjera. Tani dalin pyetjet pa përgjigje: Cilit nga të korruptuarit e përmendur nga Rama i ka hyrë gjembi në këmbë? Përse u mbrojtën dosjet e pluhurosura të Theodhori Sollakut? Ç’etalon regjimi po na jepet sot si shëmbëlltyrë pozitive e një qeverisjeje të mirë socialiste, qoftë edhe të një fragmenti të kohës? Jo vetëm, por shohim një qëndrim 180-gradësh: Autostrada e Kombit, po na del si imitacion i një sajese rrugore të tillë, nga e cila mbahet mend shija e hidhur e taksës Majko, jo më e rrugës që as nisi, as bitisi! Ka shembuj të tjerë të përvetësimit të punës së demokratëve, madje edhe të fajësimit të të tjerëve, në vend të vetvetes. Por ne po mjaftohemi vetëm në një rast, që është qesharak. Do ta shihni se nuk e vë më kot këtë cilësor: E. Rama kishte dy vite në detyrën e kryetarit të bashkisë, kur ndodhi ajo që e bëri ish-nënkryetarin e bashkisë të jepte dorëheqjen dhe të ikte në Greqi, për të mbyllur një skandal: atë të përmbytjes së pjesës jugore të Tiranës së Re, për shkak se nënkryetari hapi, me nismë të vet, digën e liqenit artificial. Tani ishte e pamundur që të mbyllej porta hapëse, për shkak të presionit të madh të ujit. Katet e para të Tiranës së Re u përmbytën. Nuk qé një katastrofë natyrore, si ajo e Shkodrës dhe e rrethinave të saj. U shkatërruan frigoriferë, televizorë, lavatriçe, divanë. Dolën jashtë përdorimit automobilë, që u mbuluan nga ujërat. Kryetari i bashkisë “premtoi” se do të rimbursoheshin të dëmtuarit. Ishin si premtimet e Haxhi pishmanit! Pastaj u gjet një variant tjetër: Fajtor na ishte ish-kryetari Albert Brojka! Ky doli në intervistë dhe shpjegoi se kishte dy vjet që e kishte lënë detyrën e kryetarit! S’kishte ç’të shtonte më tepër, veçse ta tipizonte kryetarin e bashkisë, Edi Ramën, si një mashtrues!
A ka dalë ndonjë pyetje për kryetarin e bashkisë për këtë çështje? Përse iku jashtë shtetit nënkryetari dhe jo Albert Brojka? Përse u premtuan rimbursimet kur nuk e paska fajin bashkia e Edi Ramës? Përse u bënë premtimet e pambajtura për pagesat një më një të të dëmtuarve?
Jo më kot Rama del me sloganin që evokon të ardhmen. Kërkon t’i shmanget një pyetje akuzuese: -Ç’është bërë, më parë se ç’do të bëhet? Pyetjet janë aq të shumta, sa nuk do të mjaftonin të gjitha faqet e gazetës për t’i rreshtuar të gjitha! Duke filluar me pyetjet e “sukseseve” të tij, si ministër i Kulturës! – (kur artistët u futën në grevën e urisë dhe u nxorën zvarrë nga ajo grevë, përdhunshëm, duke përdorur shkopinjtë... e policisë). Tani ai kërkon një mandat tjetër, kur veprimtaria e tij e mandatit paraardhës ka dalë në dritë të diellit nga kandidati Lulzim Basha, që e njeh problematikën e Tiranës shumë më mirë nga E. Rama. Ja përse ky i fundit nuk pranon të përballet drejtpërdrejt me z. L. Basha. Sepse ky do të fliste me shifra e me argumente, ndërsa Edi është mësuar të bëjë fushatë retorike me shpifje e me përbaltje!
Votuesi po ndërgjegjësohet se “ardhmëria” e Edit është etaloni (se nuk mund të quhet model) i tij që na ka dhënë, me dëshmitarë këpëdarët injorantë të 2005-s. Ai édhe mossukseset e një qeverisjeje, si ajo që përmendi në atë rast, i sheh me sytë e një daltonisti! I urojmë votuesit që të mos bjerë në kurthe të tilla, në zgjedhje më të mira në progres. Ndonëse ai është deklaruar se do t’i deklarojë si të manipuluara, nëse i humb!