E Diel, 1 Nëntor 2026

Palermo humb besimin tek Ujkani, gati Sorrentino

Samir Ujkani nuk po kalon aspak çaste të mirë në Itali. Pas kritikave të forta, që media italiane i bëri portierit të Kombëtares sonë, pas gabimit në fund në ndeshjen kundër Udinezes, duket se edhe klubi sicilian e ka humbur besimin te aftësitë e shqiptarit. Në këtë situatë, ku drejtuesit e klubit dhe stafi teknik i Palermos sheh se me Ujkanin në portë nuk e kanë të sigurt portën e ekipit janë hedhur në sulm për të afruar një tjetër lojtar që të mund të mbulojë këtë repart. Emri që mund të zëvendësojë lojtarin e përfaqësueses sonë është ai i portierit të Kievos, Sorrentino, për të cilin Palermo ka shfaqur interes gjatë këtyre ditëve. Duket se ekipi siçilian i ka bërë një ofertë konkrete klubit nga Verona për të marrë shërbimet e Sorrentinos në merkaton e janarit. Ajo që kanë ofruar drejtuesit e Palermos është një shkëmbim kokë më kokë mes Sorrentinos dhe Ujkanit. Por nga ajo që bëjnë të ditur mediat italiane, duket se portieri i përfaqësueses sonë nuk bën pjesë në planet e Kievos, pasi këta të fundit pëlqejnë më shumë Bixarin, i cili është në rolin e zëvendësuesit të Marketit te Lacio.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›