Palestina në OKB, Londra dhe Parisi nuk do e pengojnë

Britania e Madhe dhe Franca nuk duan të bllokojnë me votat e tyre përfshirjen e mundshme të palestinezëve në OKB. Në votim ata duan të abstenojnë, pra jo të ushtrojnë të drejtën e vetos. Ambasadorët e dy vendeve në OKB, sipas diplomatëve e bënë këtë deklaratë në një takim të komisionit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ndërsa SHBA ka njoftuar veton kundër pranimit. Ata kërkojnë që së pari të ketë paqe me Izraelin. Duke qenë se nga dy fuqitë e fundit me të drejtë vetoje, Rusia dhe Kina, nuk pritet kundërshtim, amerikanët gjenden të vetëm me vendimin e tyre. Komisioni do të vendosë me 11 nëntor raportin përfundimtar për Këshillin e Sigurimit. Ky insititucion do të shqyrtojë kërkesën e paraqitur para gjashtë javësh nga presidenti i palestinezëve Mahmud Abbas për anëtarësim të plotë. Pak ditë më parë Palestinezët reaguan me nervozizëm ndaj veprimeve të Izraelit, pas anëtarësimit të plotë të Palestinës në UNESCO. Zëdhënësi i presidentit palestinez, Nabil Abu Rudeina, ka thënë se vendimet e Izraelit për të shpejtuar ndërtimin e kolonive dhe për të ndërprerë transferimin e pagesave të tatimeve ndaj palestinezëve, do të kenë “pasoja negative” për të gjithë rajonin. Ndërkohë, Kanada i është bashkangjitur Shteteve të Bashkuara në ndërprerjen e kontributeve të saj për UNSECO-n, në shenjë proteste për pranimin e Palestinës në këtë organizatë.