Palestina nuk tërhiqet, synon anëtarësimin e plotë në OKB

Pavarësisht përpjekjeve diplomatike për të ndaluar përfaqësuesit e Palestinës të kërkojë statusin e anëtarit me të drejta të plota në OKB, duket se nuk do të ketë tërheqje.
Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, ritheksoi edhe njëherë se nuk do të tërhiqet për të kërkuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së statusin e anëtarit.
Në një fjalim televiziv drejtuar kombit, presidenti i palestinez, Mahmoud Abas, tha në Ramallah se më 23 shator do t`i paraqesë sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-Moon kërkesën, e cila më pas do t`i dorëzohet kryetarit të radhës së Këshillit të Sigurimit.
Abas vuri në dukje se megjithëse ky veprim nuk do të sjellë pavarësinë e Palestinës, të paktën komuniteti ndërkombëtar do të pranojë faktin e pushtimit të tokave palestineze nga Izraeli. Ai theksoi gjithashtu se pas marrjes së të drejtës së anëtarit të OKB-së, do të rifillojnë bisedimet e paqes me Izraelin.