Palestina “shtet vëzhgues” në OKB
SHBA dhe Izraeli votojnë kundër
Asambleja e përgjithshme e OKB-së i ka thënë po pranimit të Palestinës si shtet vëzhgues jo anëtar, 138 vota “pro”, 9 kundër mes të cilave Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 41 abstenime. Ndër vendet që kanë abstenuar ka qenë dhe Shqipëria. Sipas shumë vëzhguesve, ky status i ri i lejon Palestinës që të apelojë në Gjykatën penale ndërkombëtare dhe rrjedhimisht të denoncojë Izraelin për krime lufte. Para votimit presidenti i Autoritetit kombëtar palestinez, Mahmud Abas, kishte deklaruar se nuk ishin atje për të hequr legjitimitetin e një shteti që ekziston prej dekadash, Izraelin. Por për të kërkuar legjitimitet për një shtet që duhet të shohë dritën sa më shpejt të jetë e mundur, Palestinën. “Sot po pyesim botën: Mos ndoshta populli ynë është i tepërt në rajon?”.
Votimi ka koinciduar me ditën ndërkombëtare të solidaritetit me popullin palestines, që festohet nga Kombet e Bashkuara në 29 nëntor. Kjo është në përkujtim të së njëjtës ditë, 65 vjet më parë, kur asambleja e përgjithshme miratoi rezolutën 181, që parashikonte krijimin e një shteti hebre dhe një shteti arab në Palestinë.
Manifestime në mbështetje të pranimit në OKB kanë bashkuar sheshet e Cisjordanisë dhe Rripit të Gazës, që kontrollohen respektivisht nga Fatah e Hamas, duke harruar për një ditë ndarjet e thella mes dy grupimeve.