Operacioni antimafia: në pranga të policisë dy bosë të Camorra-s
Policia italiane ka bërë të ditur se ka vënë në pranga dy të dyshuar për bosë mafiozë, një ditë pas kapjes së vëllait të tyre në një sulm të organizuar në qytetin jugor italian të Napolit. Ata janë Paskuale dhe Carmine Russo dhe janë burgosur menjëherë. Salvatore Russo, shefi i klanit të Camorra-s, që mban emrin e tij, menjëherë pas sulmit të së shtunës është çuar në një burg të sigurisë së lartë. Ministri i Brendshëm i Italisë, Roberto Maroni, e ka përshkuar arrestimin si "një grusht të fuqishëm kundër Camorra-s dhe mafies italiane në përgjithësi". Salvatore Russo, 51 vjeç, ishte një nga personat më të kërkuar prej policisë italiane. Ai është një figurë kryesore e mafies me lidhje të fuqishme edhe jashtë vendit. Ka qenë në arrati që nga viti 1995 dhe është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje dhe akte që kanë lidhje me krimin e organizuar. Paskuale Russo, 62 vjeç, dhe vëllai i tij, Carmine, 47, janë arrestuar të dielën në mëngjes në një fermë. Carmine ndodhej në arrati që nga viti 2007. Të dielën, sipas ministrit të Brendshëm të Italisë, "është mbyllur një rrjet i fuqishëm me arrestimin e të shumëkërkuarve të klanit Russo". Klani Russo, me bazë qytetin e Nolas, ka qenë në krye të aktivitetit kriminal në rreth 40 qytetëza të vogla në zonën e Napolit. Camorra vepron në zonat e Napolit dhe mendohet se ka rreth 5000 anëtarë. Shumë të tjerë janë ende në kërkim.