E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po për ngacmimin seksual ç’do bëhet?

Blendi Kajsiu 

Rasti Pango gjithnjë e më tepër po shërben për të fshirë nga vëmendja fenomenin e abuzimit apo presionit seksual ndaj punonjëseve femra. Debati aktual po fokusohet gjithnjë e më tepër tek rasti konkret, duke harruar fenomenin që ai përfaqëson. Një pjesë i janë futur debatit ishte apo jo, sa ishte apo si ishte fajtor Pango në rastin konkret. Madje, edhe vetë Pango doli të arsyetonte pafajësinë në televizor. Por edhe sikur Pango të jetë tërësisht i pafajshëm, fenomeni mbetet. Prandaj debati mbi fajësinë apo pafajësinë e Pangos nuk duhet të zhvendosë diskutimin mbi fenomenin. Fatkeqësisht duket se po ndodh pikërisht kjo. Një palë janë tepër të zënë me denoncimin e Pangos, ndërsa pala tjetër me denoncimin e denoncuesve. Disa janë shqetësuar nga penetrimi i kamerave në hapësirën private, edhe pse shumicën e kohës jetojnë në hapësirën publike duke i dalë kamerave përpara. Në gjithë këtë amulli publike nuk po marrim vesh se çfarë dhe si do bëhet me fenomenin e ngacmimit seksual në shoqërinë shqiptare. Duke ndjekur në televizor gjyqin, demaskimin, dramën apo telenovelën, quajeni si të doni, të individit Pango po humbasin fenomenin që është shumë më i gjerë dhe shumë më shqetësues sesa ky individ.
Edhe në hapësirën politike incidenti u përdor për qëllime aq të ngushta saqë humbi fare si fenomen. Opozita socialiste shpejtoi ta trajtojë skandalin si përfaqësues të gjithë degradimit të qeverisjes aktuale Berisha. A thua se në qeverisjet socialiste nuk ka pasur fare ngacmime seksuale nga pushtetarët. LSI-ja nga ana tjetër, pasi i tha Pangos që mos të shkelë më në Parlament, nxitoi që të vinte shenjën e barazimit midis incidentit Pango dhe fotove lakuriq të Ramës, duke bërë një lidhje krejt pa lidhje, siç do thoshin kosovarët. Partia Demokratike nga ana tjetër zuri të krenohej dhe mjaftohej me rekordin 4 minutësh të shkarkimit të Pangos. Sipas logjikës demokrate, ky shkarkim është një sinjal aq tmerrues për zyrtarët e administratës, saqë atyre nuk do u ngrihet më kurrë mendja për të ngacmuar seksualisht ndonjë punonjëse të tyre. Ajo që të trishton në të gjitha këto reagime është mungesa totale e shqetësimit për fenomenin e ngacmimit seksual. 
E vetmja pikë ku u bashkuan të gjitha palët në parlament ishte denoncimi dhe dënimi i Pangos. Përtej kësaj pike rasti Pango nuk frymëzoi asnjë aksion konkret për të reduktuar fenomenin. Më elementarja do të ishte prodhimi i legjislacionit të ri që trajton këtë fenomen në rastin e Shqipërisë. Ama për një përpjekje serioze nuk mjafton fotokopjimi i ndonjë dispozite ligjore nga Evropa.  Minimalisht duhej ngritur një komision parlamentar që të hetonte shtrirjen dhe seriozitetin e fenomenit në administratën shqiptare apo edhe përtej, në mënyrë që të propozonte edhe masa konkrete për përballimin e tij. Ndoshta kemi aq femra në parlament sa për të bërë një komision të tillë. Komisionet parlamentare nuk duhet të ngrihen vetëm për hetimin e filanit apo fistekut, por edhe për të hetuar fenomene që shqetësojnë shoqërinë, edhe për të rekomanduar politika për zgjidhjen e tyre. Ngacmimi seksual është një nga këto shqetësime. Për më tepër, sikurse tregoi edhe reagimi në rastin Pango, është një shqetësim që vjen nga vetë shoqëria. Ne kemi bërë fushata ndërgjegjësimi, kemi ngritur komisione hetimore, agjenci kontrolli dhe linja telefonike për denoncimin e fenomeneve si korrupsioni, pse jo për çështje si ngacmim seksual? Problemi është se ndërmarrja e këtyre nismave kërkon së pari një ndërgjegjësim shoqëror dhe politik që më pas përkthehet në aksione konkrete politike, legjislative apo administrative.  
Për momentin ky ndërgjegjësim po humbet në detajet e rastit Pango; si u shkarkua, çfarë impakti politik do ketë ky shkarkimi, a është viktimë apo fajtor, e kështu pafund. Së fundi po flitet edhe për rreziqet e pushtimit të hapësirës private nga kamerat publike që më shumë sesa shqetësim i shoqërisë është shqetësim atyre që flasin në emër të saj. Ajo për të cilën po flitet gjithnjë e më pak është vetë fenomeni i ngacmimit seksual. Kjo ndodh sepse ngacmimi seksual është shqetësimi i fundit për politikanët, gazetarët, analistët apo komentatorët tanë. Nuk ka si të jetë ndryshe kur ato që përballen me këtë fenomen janë femra pa pushtet, pra jashtë vëmendjes së kamerave, ndërsa ata që e bëjnë ngacmimin seksual janë meshkuj me pushtet, pra në vëmendjen e kamerave. Në këto kushte natyrisht që ngacmimi seksual do të injorohet, pasi ai është pasojë e pushtetit mashkullor në hapësirën tonë publike.  Dhe diskutimi që ndodh në këtë hapësirën publike ndonëse shpesh bëhet ‘në emër të shoqërisë’ reflekton shqetësimet e atyre që e popullojnë këtë hapësirë. Shumica e kësaj popullate janë meshkuj me pushtet. Për një pjesë të mirë të tyre ngacmimi seksual nuk përbën një shqetësim por një privilegj, prandaj ai gradualisht po fshihet nga diskutimi publik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›