Palët janë alergjike ndaj ‘autonomisë’ dhe ‘planit Ahtisaari''

(E plotësuar) Kërkesa serbe për një lloj entiteti të veçantë në territorin e Kosovës, një si autonomi e gjerë territoriale, platformë kjo që mendohet se ka mbështetjen edhe të lidershipit aktual serb, nuk është komentuar dhe deri tash nuk ka pasur ndonjë reagim të Washingtonit zyrtar. Një gjë të tillë e kanë përmendur zyrtarët serbë edhe në takime me delegacione të ndryshme të anëtarëve të Kongresit amerikanë që kanë vizituar Kosovën dhe Serbinë.
Një kërkesë dhe propozim i tillë nuk është i panjohur as për Departamentin amerikan të Shtetit. Mirëpo qeveria amerikane ka deklaruar më se njëherë se zgjidhja për serbët në veriun e Kosovës duhet të arrihet në kuadër të kornizës ligjore dhe të kushtetutës së Kosovës.
Zyrtarë amerikanë e kanë thënë shpeshherë se ‘çështja e veriut është një sfidë mjaft e madhe si për Kosovën ashtu edhe për bashkësinë ndërkombëtare’. Burime në Washington thonë se sa herë që është biseduar për veriun, udhëheqja e Kosovës nuk ka dashur fare që t’i përmendet fjala ‘autonomi’ si një mundësi e zgjidhjes, ndërkaq në anën tjetër pala serbe as nuk do të dëgjojë emrin ‘plani Ahtisaari’, raprton RTK.
SHBA kanë përshëndetur dialogun dhe kanë uruar Kosovën dhe Serbinë për ‘përpjekjet e tyre që të shkojnë kah normalizimi i marrëdhënieve dhe të vazhdojnë në rrugën drejt integrimit të plotë Euro-Atlantik,’ një qëndrim ky që u theksua edhe në mbledhjen fundit për Kosovën në Këshillin e Sigurimit në New York.
Ndërkaq rreth veriut, një zyrtar thotë se ‘veriu i Kosovës është brenda kufijve të Kosovës dhe duhet të zgjidhet në kuadër të kushtetutës së Kosovës’.
.....
Veriu i Kosovës përfundimisht rrezikon që t’i dalë nga “dora” Prishtinës zyrtare, gjegjësisht ajp pjesë e vendit të fitojë një autonomi të gjerë.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme Petrit Selimi, thotë se “platforma e Serbisë mbetet e pa pranueshme”.
“Pulsi i dëshirave serbe ka qenë i pa fund, por realiteti ka qenë ndryshe”, ka thënë Selimi për “Zëri”.
E ndërkaq Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes , Visar Ymeri, thotë se apetiti i autoriteteve serbe karshi veriut është rritur dukshëm që nga fillimi i negociatave.
“Ndalja e negociatave në njërën anë, dhe intervenimi shtetëror e institucional në veri në anën tjetër, e parandalojnë krijimin e kësaj autonomie”, ka thënë Ymeri.
Ndërkohë sipas Shpend Kursanit nga KIPRED, autonomia që tani po përmendet si opsion e ka “rrënjën” në katër pikat e ish-presidentit serb, Tadiq.
“Duket se Serbia do t’ia arrijë qëllimit, duke u bazuar në dy fakte, e para që në Bruksel nuk ka një strategji se si t’i qeset problemit të veriut edhe kur t’i bashkohet kësaj edhe një qasje vëshguese nga Kosova për atë pjesë të territorit të vet e lënë Serbinë si të vetmin aktor që vendosë se çfarë të bëjë me atë pjesë të territorit të Kosovës”, nënvizon Kursani./Indeksonline/