Palët nënshkruese të kësaj marrëveshjeje, të vetëdijshme se lufta, pa asnjë kompromis, kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit është kthyer në një sfidë të vetë shteti
Palët nënshkruese të kësaj marrëveshjeje, të vetëdijshme se lufta, pa asnjë kompromis, kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit është kthyer në një sfidë të vetë shtetit,të bindura se zbatimi me rigorozitet i Kushtetutës dhe i legjislacionit në fuqi, i respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut është e vetmja rrugë për t'i siguruar qytetarëve shqiptarë një jetë dinjitoze dhe integrim të sigurtë në familjen e madhe europiane,duke ditur se sot, më shumë se kurrë, duhet kthyer besimi se shteti është i qytetarëve dhe se asnjë strukturë shtetërore nuk ka lidhje me krimin, se përkundrazi, shteti dhe krimi janë në një antagonizëm të hapur,të vendosura të luftojnë krimin e organizuar, trafiqet e paligjshme, korrupsionin, si dhe çdo shfaqje tjetër kriminale, që kërcënon jetën dhe sigurinë e qytetarëve dhe, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, në zbatim të shkronjës "c", të nenit 102, të Kushtetutës, e prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë, në zbatim të shkronjës "ë", të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr. 8737, datë 12. 2. 2001, "Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë", bien dakord, si më poshtë vijon:
Pjesa I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti dhe qëllimi
1.Objekt i kësaj marrëveshjeje është ngritja, në një nivel të ri, i marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe bashkërendimit, ndërmjet pushtetit ekzekutiv dhe prokurorisë.
2. Kjo marrëveshje synon intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar, kundër trafiqeve të paligjshme dhe korrupsionit, përmbushjen me shpejtësi, cilësi dhe frytshmëri të detyrave ligjore në këtë fushë, nga strukturat që bëjnë pjesë në pushtetin ekzekutiv, nga njëra anë, dhe të prokurorisë dhe policisë gjyqësore, nga ana tjetër.
Neni 2
Marrëdhëniet ndërmjet palëve
Palët marrin përsipër që, për përmbushjen e detyrave të përcaktuara në Kushtetutë, në legjislacionin procedurial penal, për Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura, Shërbimin Informativ Shtetëror, si dhe të çdo detyrë tjetër, të ngarkuar me ligj, të bashkëpunojnë ngusht, për parandalimin e veprimeve kriminale, të zhvillimit të hetimeve paraprake intensive, të ruajtjes së sekretit të këtyre hetimeve, deri në përfundimin e tyre, të marrjes dijeni menjëherë për kryerjen e veprës penale, për marrjen dhe fiksimin ligjor të provave, deri në dërgimin e çështjes në gjykatë.
Pjesa II
DETYRIMET E PALËVE
Neni 3
Detyrimet e Kryeministrit
1.Kryeministri merr përsipër, brenda kompetencave që i cakton Kushtetuta dhe ligjet në fuqi, t' i ofrojë prokurorisë dhe policisë gjyqësore bashkëpunim dhe veprim të përbashkët në luftë kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit.
2.Kryeministri merr përsipër që për çdo aksion, të ndërmarrë nga një strukturë e veçuar e ekzekutivit apo, ne rastin e aksioneve të integruara, nga shumë struktura të njoftojë menjëherë prokurorinë, e cila vë në dispozicion prokurorin përkatës, për parandalimin dhe zbulimin e çdo veprimtarie kriminale, të mundshme.
3.Kryeministri merr përsipër që, për çdo njoftim për veprimtari kriminale të këtij lloji, të shkëmbejë informacionet e veta, të siguruara edhe nga drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror apo nga inspektori i përgjithshëm në SHISH, me prokurorin e Përgjithshëm.
4.Kryeministri, me kërkesë të prokurorit të Përgjithshëm, merr përsipër t' i vërë në dispozicion punonjës të strukturave të ekzekutivit, mjete dhe çdo lloj tjetër mbështetjeje, materiale apo morale.
5.Kryeministri, me kërkesë të prokurorit të Përgjithshëm, merr përsipër t'i vërë në dispozicion akte, dokumente, e lejon të këqyrë çdo procedurë administrative, mjedise, të kontaktojë persona zyrtarë, të cilët janë të detyruar t'i japin të dhënat që kanë, për shkak të detyrës, përveç rasteve të veçanta kur ndalohet shprehimisht me ligj.
Neni 4
Detyrimet e prokurorit të Përgjithshëm
Prokurori i Përgjithshëm, në mbështetje të Kushtetutës dhe në ligj, duke angazhuar strukturat e prokurorisë, merr përsipër që:
1. të bashkëpunojë dhe të zhvillojë veprime të përbashkëta me strukturat e policisë gjyqësore të pushtetit ekzekutiv në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit.
2. të dërgojë prokurorë në aksionet e befasishme, të organizuara nga strukturat policore të ekzekutivit, të cilët drejtojnë veprimtarinë proceduriale penale dhe ndihmojnë në dokumentimin e saktë të provave.
3. të angazhojë, me kërkesën të Kryeministrit dhe mbështetur në faktet, strukturat përkatëse të prokurorisë për fillimin e procedimeve penale.
4. të fillojë kryesisht, çështje penale ndaj çdo funksionari shtetëror, kur ka të dhëna të mjaftueshme për një figurë vepre penale, nga çdo formë e njohur me ligj.
5. të njoftojë Kryeministrin për shkeljet e kryera nga punonjës të pushtetit ekzekutiv apo për çështje të tjera, që vërehen gjatë dhe në përfundim të hetimit të çështjeve penale. Kjo edhe për rastet kur çështja pushohet.
6. të promovojë, në bashkëpunim me Kryeministrin, fushatat e edukimit të shoqërisë, me synim njohjen e ligjit dhe parandalimin e kriminalitetit.
Neni 5
Detyrimet e ministrave dhe drejtuesve të institucioneve
të tjera qëndrore të pushtetit ekzekutiv
Ministrat dhe drejtuesit e institucioneve të tjera qëndrore të pushtetit ekzekutiv detyrohen, me kërkesë të prokurorisë apo dhe kur vërejnë me nismën e vet, të bashkëpunojnë me prokurorinë për parandalimin, zbulimin dhe goditjen e shfaqjeve kriminale.