E Diel, 1 Nëntor 2026

Pallatet tek xhamia, acarohen edhe myslimanët: Mund të bëjmë çtë duam me tokën tonë

xhamia-e-madhe-2Debati për ngritjen e kullave tregtare pranë Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë është hapur sërish, duke marrë përmasa edhe më të mëdha. Ambientalistët kanë deklaruar dje se mbi këtë truall do të ndërtohen katër kulla biznesi, duke kërkuar në gjykatë pezullimin e lejes së ndërtimit. Ndërkohë nga ana tjetër kreu i Komunitetit Mysliman Selim Muça është shprehur për median se Xhamia e Madhe e Tiranës nuk është një projekt fantazmë, por se do të nis të ndërtohet brenda këtij viti. Muça shtoi se ambientalistët nuk duhet të përzihen me këtë projekt, pasi toka para Parlamentit është e myslimanëve, dhe se ata bëjnë çtë duan me pronën e tyre.

Komuniteti Mysliman

Xhamia e Madhe do të nis të ndërtohet shumë shpejt. Unë kam folur vetë në telefon me përfaqësuesit e kompanisë së ndërtimit të cilët për disa vonesa udhëtimi në Kinë nuk kanë ardhur më herët. Por punimet për hapjen e gropës do të nisin shpejt, madje pa ardhur dimri dhe nisja e shirave. Ambientalistët nuk kanë punë me ne, toka është e myslimanëve dhe ne bëjmë çtë duam me tokën tonë, e bëjmë lulishte apo ndërtojmë godina, kjo është e drejta jonë, nuk është puna e tyre. Ata le të merren më mirë me mbrojtjen e pyjeve nga zjarret dhe prerjet masive, siç po ndodh në Lurë e në shumë zonat të tjera të vendit, tha dje kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Selim Muça.

Kullat tregtare

Lidhur me akuzat për ngritjen e kullave tregtare Muça nuk e ka mohuar ndërtimin e qendrave të tilla private, por pa dhëne shumë detaje ka thënë se myslimanët janë të interesuar për Xhaminë dhe jo për kullat. Megjithatë ai ka shtuar këtu se për kthimin e pronës ishte domosdoshmëri marrja e një leje të përbashkët. Ne jemi të interesuar për Xhaminë dhe jo për kullat, çështja e kullave është përgjegjësi e atyre që kanë dhënë lejen e ndërtimit, dhe atyre që i ndërtojnë. Ne nuk dimë gjë për këtë projekt, e vetmja lidhje ka qenë fakti që leja e ndërtimit për ngritjen e Xhamisë nuk mund të jepej pa miratimin e pronarëve të tjerë të truallit. Ne i jemi mirënjohës qeverisë që iku për dhënien e lejes së ndërtimit, por jemi miq edhe me qeverinë e re, nga e cila nuk presim që të pengojë ndërtimin e Xhamisë. Unë them se i gjithë ky debat është i qëllimshëm, një keqdashje e strukturave të caktuara brenda dhe jashtë vendit që nuk duan përhapjen e fesë islame dhe ngritjen e objekteve fetare, u shpreh më tej Muça.

Gjykata

Ndërkohë lidhur me të njëjtën çështje shoqëria civile i është drejtuar dje dyerve të gjykatës për pezullimin e punimeve në lulishten pranë Parlamentit. Sipas tyre aty do të grihen jo dy por katër kulla biznesi. Gjykata e Tiranës nisi shqyrtimin e kërkesës ankimore të shoqërisë civile dhe Institutit për Çështjet Kombëtare të cilët kërkojnë pezullimin e lejes zhvillimore për Xhaminë e Namazgjasë dhe kullat që priten të ndërtohen rreth saj. Përfaqësuesit e këtij instituti i paraqitën dje gjyqtares Fahrie Bendo dokumentacionin përkatës ku ndër të tjera bënte pjesë edhe leja zhvillimore për ndërtimin e xhamisë dhe godinave polifunksionale të firmosura nga ish-kryetari i Këshillilt Kombëtar të Rregullimit të Territorit, Sali Berisha dhe nga ish-ministri i kulturës, Visar Zhiti. Duke kundërshtuar këtë ndërtim i cili prish hapësirën publike pranë Kuvendit, Instituti për Çështjet Kombëtare thekson se nga dokumentacionet e zotëruara rezulton se nuk do të jenë dy godina private ato që do të ngrihen, por 4 të tilla.

Shoqëria civile

“Ne sot paraqitëm një kopje të akteve të vendimit numër 2 të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe lejen zhvillimore të Ministrisë së Kulturës e cila i ka dhënë palës së paditur Komunitetit Mysliman ndërtimin e lejes zhvillimore të një objekti kulti siç është xhamia dhe të 4-tër kullave që janë një biznes privat në një hapësirë publike siç është një lulishte e njohur që është lulishtja pranë Parlamentit. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për ne, ne kundërshtojmë ndërtimin e xhamisë, por ne gjithashtu kundërshtojmë edhe ndërtimin e 4-tër kullave të biznesit të cilat ne i dinim se ishin dy,” tha Kastriot Frashëri, drejtor i Institutit për Çështjet Kombëtare. Në këtë seancë gjyqësore mungonte pala e paditur, Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit për shkak se ky institucion është ende i pa konstituuar dhe pritet ardhja në detyrë e qeverisë së re për të nisur nga puna.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›