Historiku i përdorimit të armëve kimike, nga Lufta e Parë Botërore tek regjimi i Asad
Përdorimi i armëve kimike në konflikte të ndryshme është një çështje që shqetëson së tepërmi diplomacinë ndërkombëtare në këto kohë, pas imazheve tragjike të përdorimit të tyre në Siri. Pamjet rikujtojnë edhe një herë se çfarë rreziku i kanoset njerëzimit nga përdorimi masiv i tyre. Brenda pak minutave mbi 1500 njerëz humbën jetën në një qytezë në periferi të Damaskut, vetëm nga dy raketa të mbushura me gaz Sarin. Gjermania njihet botërisht të jetë e para që i ka përdorur në shkallë të gjerë këto armë gjatë Luftës së Parë Botërore. Bëhet fjalë për betejën e Ipresë në Belgjikë, të vitit 1915, ku humbën jetën 6000 trupa britanike dhe franceze. Kjo masakër çoi në nënshkrimin e protokollit të Gjenevës, në vitin 1925. Ndërsa që prej vitit 1928, ky protokoll është një prej traktateve të pakta që është pranuar botërisht, përfshirë këtu edhe Sirinë. Asnjë vend perëndimor nuk i vuri në përdorim ato gjate Luftës së Dytë Boterore, madje Hitleri. Por pavarësisht nënshkrimit të protokollit të Gjenevës, historia njeh edhe raste të tjera të sulmeve me të tilla armë, sikundër civilëve ashtu edhe në fushë beteja. Në vitet 1935-1936, Musolini perdori qindra tone te gazit mustardë në Etiopi. Në vitet 19401941 Japonia hodhi bomba kimike dhe biologjike në Kinë. Mjaft prej atyre që nuk shpërthyen vazhdojnë të asgjësohen në këto kohë me shpenzimet e qeverise japoneze. Ndërsa në vitet 1965-1967, Egjipti i përdori ato në Jemen. Në shkallë të gjerë, armët kimike u shfaqën në luftën 8vjeçare mes Irakut dhe Iranit. Përdorimi i tyre nga regjimi i Sadam Huseinit në vitin 1988 në qytezën kurde Halabja u mori jetën rreth 5 mijë civilëve. Kjo u bë shkak që në vitin 1995 të nënshkruhej nga 189 vende të botës Konventa për Luftën Kimike që ndalonte kategorikisht disponimin dhe përdorimin e tyre. Megjithatë vende si Siria, Koreja e Veriut, Sudani i Jugut, Angola dhe Egjipti nuk e kanë nënshkruar apo ratifikuar atë. Efekti katastrofik që ato japin brenda pak minutash dhe rreziku i rënies së tyre në duart e organizatave terroriste janë dy prej shkaqeve që kërcënojnë sigurinë ndërkombëtare. Ndaj dhe SHBA kërkojnë një kundërpërgjigje të fortë nga të gjitha vendet që i përdorin ato.