E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hamasi sulmon përsëri me raketa

Kryeministri izraelit, Ehud Olmert, kërcënoi për reagim "disproporcional" ndaj sulmeve me raketa të ndërmarra dje nga luftëtarët Hamas kundër territorit izraelit. Deklaratën e bëri gjatë mbledhjes së përjavshme të kabinetit, të dielën, shumë pak çaste pasi raketat e lëshuara nga territorin e Gazës kishin goditur zona në jug të Izraelit.

Para dy javësh, Izraeli dhe Hamasi - i cili ka nën kontroll Rripin e Gazës - deklaruan armëpushim të njëanshëm. Kështu u bë i mundur përfundimi i operacionit trejavor ushtarak izraelit në Rripin e Gazës, qëllimi i të cilit, sipas shtetit hebre, ishte ndalja e sulmeve me raketa nga ana e forcave Hamas.

Dje, Kryeministri Ehud Olmert do t‘i përgjigjej shumë agresivisht sulmeve të djeshme me raketa. "Kemi bërë të kuptohet se në rast se do pësonim sulme me raketa në zonat jugore të vendit, kundërpërgjigjja izraelite do të qe disproporcionale. Ushtria do t‘u përgjigjet me zjarr sulmeve mbi qytetarët izraelitë apo mbi forcat e saj të sigurisë", tha gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Sipas asaj që raportohet nëpër disa media, Një prej raketave të lëshuara dje ra mes dy shkollave infermiere në rajonin Eshkol në jug të Izraelit. Të shtunën, një raketë e lëshuar nga Gaza shpërtheu pranë qytetit Ashkelon, por pa shkaktuar dëme në njerëz. Ndërkohë që raportet zyrtare bëjnë me dije se të paktën dy raketa të tjera u lëshuan ditët të mëparshme.

"Nuk do të pranojmë kthim në rregullat e vjetra të lojës dhe do veprojmë duke u bazuar në rregulla të reja, të cilat do të na garantojnë shmangien e gjendjes së pambarimtë të lojës macja me miun, gjë që pengon zhvillimin normal të jetës na rajonet në jug të vendit", tha gjatë mbledhjes Kryeministri i Izraelit. "Reagimi do të vijë në kohën, vendin dhe mënyrën e zgjedhur nga ne".

Qëndrimi i tij më se i ashpër u mbështet edhe nga ministrja e Jashtme, Tzipi Livni, si dhe nga ministri i Mbrojtjes, Ehud Barak.

Armëpushimet, të deklaruara veçmas nga secila palë, janë shkelur shumë herë. Një ushtar izraelit u vra gjatë një sulmi me bomba të martën e shkuar. Izraeli u përgjigj me sulme ajrore dhe me një inkursion të shkurtër nga ana e këmbësorisë dhe disa tankeve.

Rreth 1300 palestinezë dhe 10 ushtarë izraelitë gjetën vdekjen gjatë ofensivës shkatërruese izraelite në Rripin e Gazës. Tre qytetarë izraelitë gjetën vdekjen për shkak të sulmeve me raketa nga ana e Hamasit.

Tashmë Izraeli po kërkon me çdo kusht fundin e sulmeve me raketa, por njëherësh edhe të mos lejojë militantët islamistë të riarmatosen. Por analistët thonë se politikanët izraelitë që urdhëruan ofensivën në Gaza shohin me shumë vëmendje edhe zgjedhjet e 10 shkurtit. Hamasi kërkon që pikat e kalimit kufitar të hapen tërësisht pas një bllokade 18 muajshe, e cila ka shkatërruar ekonominë e saj.

Ndërkaq, pavarësisht raketave të djeshme, Hamasi e ka pranuar propozimin egjiptian për një armëpushim 1-vjeçar. Deklarata, sipas gazetës izraelite "Haaretz" është bërë publike në televizionin saudit "Al Arabiya". Sipas këtij televizioni, Hamas edhe ka pranuar të lërë në dorë të rivalëve të organizatës Fatah kontrollin e kufirit me Egjiptin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›