Pallati i shembur, 15 familje marrin statusin e të pastrehut
Dhënia e shenjave të shembjes së pallatit të papërfunduar në Lagjen e Re të qytetit minator të Bulqizës javës që kaloi, ka detyruar këshillin bashkiak t‘u japë 15 familjeve që banonin atje statusin e të pastrehut. Dje, Këshilli Bashkiak i Bulqizës, në një mbledhje të organizuar jashtë radhës, me një votim unanim, u ka dhënë këtyre familjeve statusin e të pastrehut. Aktualisht në bazë të një marrëveshjeje midis qeverisjes vendore dhe myftinisë së qytetit, është rënë dakord që për një muaj 56 banorët e këtyre familjeve që rrezikoheshin nga shembja e pallatit, të banojnë në mjediset e xhamisë së qytetit. Bashkia ka furnizuar këta banorë me rroba fjetjeje, ndërsa të afërmit e tyre kanë dhënë ç‘të mundnin: veshje, ushqime, enë kuzhine etj. Kushtet në dhomat e myftinisë janë më të mira se atje ku ishim thonë ata, por edhe këtu ndeshen probleme, që kanë të bëjnë me kufizimet që imponon vetë mjedisi fetar dhe nuk mund të rrimë përgjithmonë, pra gjithsesi kjo mbetet një zgjidhje e përkohshme. Sipas vendorëve, është dhënë miratimi nga strukturat shtetërore për të investuar të paktën 22 milionë lekë për rikonstruksionin e një pallati tjetër në lagjen "Gjeologu" të qytetit. Ky pallat është ish-kompleksi i minatorëve, i ndërtuar në vitet ‘90 dhe ka shërbyer si gardërobë për minatorët e Bulqizës. Burime pranë bashkisë së qytetit sqarojnë se objekti deri tani është pronë e "Albkrom"-it, shoqërisë që ka menaxhuar deri para pak vitesh industrinë e kromit në vendin tonë. Ndër vite, ky pallat pesëkatësh nuk është banuar, sepse shoqëria e kromit nuk ka lejuar askënd të strehohet këtu. Po sipas këtyre burimeve, merret vesh se pas ndërhyrjeve të drejtuesve vendorë në qeveri është rënë dakord që objekti të shndërrohet në shtëpi banimi për 15 familjet. Me paratë e buxhetit të shtetit do të investohet për të krijuar të tjera kushte banimi për familjet, që mbetën të pastreha nga shembja e pallatit. Procedurat e tenderimit gjithashtu do të jenë të shpejta dhe me gjithë të ftohtin e këtyre ditëve, specialistë të ndërtimit do të zbatojnë një projekt emergjent dhe të zbatueshëm për momentin, për krijimin e kushteve të banimit për të gjitha familjet e mbetura pa shtëpi. Ndërkohë këta familjarë këmbëngulin dhe kërkojnë kushte më të mira sesa në pallatin që u shemb.